Pesë vrasje në 48 orë, kërkohet prezencë më e madhe e policisë në terren
Vrasja e pesë personave brenda 48 orëve ka ngritur shqetësimin për nivelin e sigurisë në vend. Eksperti i sigurisë, Avni Islami thekson se nevojiten masa të koordinuara nga të gjitha institucionet, përfshirë edhe një strategji për parandalimin e rasteve të tilla. Ai flet edhe për rëndësinë e prezencës dhe shtimin e patrullave të policisë në…

Lajme
Vrasja e pesë personave brenda 48 orëve ka ngritur shqetësimin për nivelin e sigurisë në vend. Eksperti i sigurisë, Avni Islami thekson se nevojiten masa të koordinuara nga të gjitha institucionet, përfshirë edhe një strategji për parandalimin e rasteve të tilla. Ai flet edhe për rëndësinë e prezencës dhe shtimin e patrullave të policisë në terren.
Një vrasje e trefishtë në Gjilan e një tjetër në Prizren ndodhën të dielën e 10 gushtit. Ndërkaq të hënën në mbrëmje, u raportua edhe për një tjetër vrasje në Hajvali të Prishtinës.
Eksperti i sigurisë, Avni Islami thotë se për parandalimin e këtyre rasteve duhet të përfshihen të gjitha institucionet
“Komplet institucionet e Republikës së Kosovës duhet që të hartojnë strategji, se si në periudha të caktuara, jo vetëm mekanizmat e dhunës të cilat janë të m’veshur me forcën e ligjit, si policia, por të gjithë duhet të punojnë në këtë drejtim nëpër komuna, kryetari i komunës, asamblistë, organizatat jo-qeveritare dhe duke shkuar nga kryeministri me gjitha ministritë me Agjencinë e Menaxhimit Emergjent, të AKI-së, që të punojnë në atë drejtim që të jenë aktiv dhe të menaxhohen lëvizjet e qytetarëve, të menaxhohen pikat ku mund të grumbullohen njerëzit”, deklaron ai.
Ai kërkon rritjen e numrit të policëve në komunitet, që sipas tij “keqbërësit të mos ndihen të sigurt për të kryer vepra penale”.
“Të vendosin qoftë pika statike nga ana e policisë dhe sidomos është shumë e rëndësishme që policia të patrullojë në këmbë, jo me vetura. Sepse vet uniforma e ka efektin e vet. Pastaj, pse jo edhe policët në rroba civile që ekzistojnë, por të rritet numri dhe të rritet efikasiteti i tyre. Sepse vet prezenca e uniformës e ka efikasitetin e vet. Pastaj edhe ana tjetër, policë me rroba civile, ata të cilët mendojnë të bëjnë apo keqbërësit duhet që të mos ndjejnë vetën e sigurt aty ku ata mendojnë që të kryejnë një vepër penale, qoftë plaçkitje, por edhe vrasjet që po vijnë”, shton ai.
Për vrasjen e trefishtë në Gjilan, personat e dyshuar ndodhen në arrati. Edhe i dyshuari për vrasjen në Hajvali të Prishtinë është në kërkim nga autoritet vendore.
Ndërkaq, lidhur me rastin në Prizren një person është arrestuar.
I dyshuari kryesor për vrasjen e trefishtë, Mefail Shkodra është person me të kaluar penale, përfshirë edhe në fajde.
Të hënën, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se ka kërkuar nga Inspektorati Policor të Kosovës që të angazhohet në hetimin e “çdo lëshimi apo përfshirjeje të mundshme të ndonjë pjesëtari të Policisë së Kosovës në veprimtarinë kriminale të Mefail Shkodrës, i shpallur në kërkim për vrasjen e trefishtë në Gjilan”.
Më vonë të hënën, Inspektorati Policor i Kosovës bëri të ditur se ka suspenduar katër zyrtarë policorë./kp