Pesë vjet nga vdekja e Agim Bytyqit – kryetarit të parë të FFK-së | Ademi: Emri i tij do të mbetet i lidhur përgjithmonë me fillimet tona

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka nderuar sot kujtimin e Agim Bytyqit, kryetarit të parë të FFK-së, me rastin e pesëvjetorit të ndarjes së tij nga jeta. Në një postim prekës, Ademi e përshkruan Bytyqin si një figurë kyçe në historinë e futbollit kosovar, që me guxim dhe përkushtim ndërtoi institucionin…

Lajme

10/10/2025 13:53

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka nderuar sot kujtimin e Agim Bytyqit, kryetarit të parë të FFK-së, me rastin e pesëvjetorit të ndarjes së tij nga jeta.

Në një postim prekës, Ademi e përshkruan Bytyqin si një figurë kyçe në historinë e futbollit kosovar, që me guxim dhe përkushtim ndërtoi institucionin e futbollit në kohë okupimi dhe vështirësish.

“Emri i tij do të mbetet i lidhur përgjithmonë me fillimet tona, me guximin dhe sakrificën për të ndërtuar futbollin e pavarur të Kosovës”, thekson Ademi, transmeton lajmi.net.

Ai kujton se Agim Bytyqi, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, krijoi themelet e një federate që sot përfaqëson Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe simbolizon ëndrrën e shumë brezave.

Kreu i FFK-së e përshkruan Bytyqin si një njeri të urtë, vizionar dhe punëtor, i cili e përdori futbollin si mjet rezistence dhe shprese për të ardhmen. “Vizioni dhe vendosmëria e tij do të mbeten udhërrëfyes për brezat e ardhshëm që do të vazhdojnë ta ndërtojnë historinë e futbollit tonë,” përfundon Ademi.

Në këtë përvjetor, Federata e Futbollit të Kosovës dhe gjithë komuniteti sportiv e kujtojnë me nderim dhe falënderim kontributin e jashtëzakonshëm të Agim Bytyqit./lajmi.net/