Pesë të plagosur e dy të vdekur gjatë javës së kaluar, nga Policia thonë se ka rënie numri i vrasjeve në 44 %

Javë e përgjakur kanë qenë javët e fundit në Kosovë, pasi që vazhdimisht u raportua për sulme me thikë, të shtëna me armë zjarri që çuan në plagosje e shumë raste të ngjashme. Brenda katër ditësh, tetë persona janë therur me thikë e dy të tjerë kanë ndërruar jetë si pasojë e të shtënave me…

Lajme

26/11/2024 08:53

Javë e përgjakur kanë qenë javët e fundit në Kosovë, pasi që vazhdimisht u raportua për sulme me thikë, të shtëna me armë zjarri që çuan në plagosje e shumë raste të ngjashme.

Brenda katër ditësh, tetë persona janë therur me thikë e dy të tjerë kanë ndërruar jetë si pasojë e të shtënave me armë zjarri vetëm javën që lamë pas.

Të hënën me datë 10 nëntor në Prishtinë afër shkollës “Sami Frashëri” tre persona janë therur me thikë dhe kanë pësuar lëndime.

Këtë e pati konfirmuar për lajmi.net zëdhënësja e Policisë së Kosovës në Prishtinë, Flora Ahmeti.

“Sot rreth orës 13 :00, kemi marrë informatën për një  lëndim trupor të ndodhur në rrugën “Ali Hadri” në Prishtinë Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast janë lënduar tre persona dy prej të cilëve dyshohet se lëndimet i kanë pësuar nga një mjet i mprehtë. Personat e lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor, ndërkohë që policia ka arrestuar një person të dyshuar dhe ka nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij rasti”, pati deklaruar ajo për lajmi.net.

Të hënën po ashtu në qytetin e Ferizajt katër persona kanë pësuar lëndime pasi që një person i ka therur me thikë në tri lokacione të ndryshme në qytet.

Dy nga viktimat kanë qenë dy motra të mitura njëra 10 vjeçare e tjetra 14 vjeçare ndërsa dy viktimat meshkuj ishin të moshave madhore.

“Me datën 11.11.2024 rreth orës 15:40 jemi informuar se një person i moshës madhore, në rrugët: Enver Topalli – Halim Spahija dhe Ejup Statovci, në rrethana ende të pasqaruara u ka shkaktuar lëndime të rënda trupore (therrur me thikë) 4 persona kalimtarë të rastit , dy femra ( të moshave nën 18 vjeçe dhe dy meshkuj ( të moshave madhore, rreth 29-32 vjeçare). Të lënduarit për ndihmë mjekësore janë dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj, e më pas për tretman të mëtutjeshëm mjekësor, 2 persona janë dërguar në QKUK – Prishtinë, ndërsa 2 të tjerë janë duke u trajtuar në Ferizaj. Ekipe të shumta të policisë, përfshirë, edhe Njësinë e Reagimit të Shpejtë kanë nisur kërkimin e personit të dyshuar. Pas një pune intensive të kërkimit, rreth orës 16:40 kanë arritur që në rrugën ” Besim Rexhepi” në afërsi të qendrës tregtare ”Plus Market” të arrestojnë të dyshuarin E.S ( M/K) i moshës rreth 59 vjeçar, i cili nën masa të sigurisë është shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj. Hetuesit dhe krim teknikët rajonal janë duke i ekzaminuar vendet e incidentit, ndërsa është gjetur edhe një mjet i mprehtë ( thikë) me të cilën dyshohet se është përdorur në rastet e sipër përmendura. Për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit”, pati thënë Veseli për lajmi.net.

Ndonëse Policia menjëherë pas rastit deklaroi se ishte arrestuar i dyshuari, ai doli të jetë arrestuar gabimisht.

Një ditë pas, i dyshuari E.S është liruar pasi i dyshuari me inicialet F.I është vetëdorëzuar në Polici.

“Si fillim është ndaluar një person tjetër i cili u raportua në media E.S, i njëjti i është përshtatur profilit të të dyshuarit . E kanë shiku atë, i kanë sh iku kamerat, veshjen gjithçka është përshtat me të kërkuarin dhe me ngjarjen. Pra kanë qenë dyshimet e para se ai ka kryer këtë vepër penale, por më vonë është ndaluar një tjetër person që në fakt ka rezultuar që tashmë është i dyshuari kryesor në këtë rast. Pra ndalimi i tij është bërë për shkak se të dhënat i janë përshtatur profilit të të kërkuarit. Por për detaje të tjera besoj do të sqarohet Policia e Kosovës. Në të kaluarën kriminale ai ka qenë i dënuar për veprën penale vrasje”, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Vjosa Baftiu për rastin.

Përmes një komunikate për media, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka thënë se sulmi ka baza etnike pasi të katër viktimat i përkasin komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian.

Edhe nata tjetër, ajo e së martës nuk ka qenë aspak më e qetë, pasi që dy të rinj kanë humbur jetën në Klinë si pasojë e të shtënave me armë zjarri në një lokal në qendër të qytetit.

Lajmin e pati konfirmuar për lajmi.net, zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi

“Rreth ores 17:17 policia është njoftuar për të shtëna me armë zjarri në sheshin “Mujë Krasniqi”, në një lokal sipas informatave të para një person është pa shenja jete vdekjen e ka konstatuar mjeku kujdestar, ndërsa një person tjetër është dërguar në emergjencë”, pati thënë Gashi i cili më pas ka njoftuar se ka ndërruar jetë edhe personi i cili ishte dërguar si i plagosur në emergjencë.

“I dyti (personi) kur është nisë për Emergjencë, mjeku kujdestar e ka konstatu se ka arritë pa shenja jete”, ka thënë Gashi.

Në lidhje me rastin është arrestuar 19 vjeçari Jon Hoti që gjithashtu raportohet se është djali i ish-kandidatit për kryetar të Klinës në zgjedhjet e fundit Besim Hoti.

Përveç Klinës, të mërkurën e 13 nëntorit është tronditur edhe qyteti i Gjilanit ku një person i moshës 24 vjeçare është therur me thikë dhe si pasojë e lëndimeve të marra është dërguar në QKUK.

Rastin për Lajmi.net e pati konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

“Ju njoftojmë se sot me datën 13.11.2024 rreth orës 20:20 kemi pranuar një informatë se në rrugë “Isa Boletini’’ prapa stacionit të autobusëve në qytetin e Gjilanit ka ndodh një rast therje me thikë. Njësitet policore kanë dalur në vendin e ngjarjes. Sipas hetimeve të para mësohe se viktime është i moshës 24 vjeqar i cili me urgjencë është dergu në qendrën emergjente këtu në Gjilan dhe më pas për shkak të lëndimeve dergohet në QKUK në Prishtinë për trajtim të mëtejmë. I dyshuari i këtij rasti i njohur për policinë është vënë në kërkim policor. Policia e Kosovës po punon intensivisht në zbardhjen e rrethanave të këtij rasti”, pati thënë Hashani.

Lajmi.net ka kontaktuar sot me drejtorin e Emergjencës, Naser Syla i cili tha se gjendja e 24 vjeçarit është e rëndë.

“Po është trajtu në Qendrën Emergjente dhe më pas është transferu në MIQ për tretman të mëtutjeshëm, pasi gjendja ishte e rëndë”, ka thënë Syla.

Ndonëse Kosova ka pasur vazhdimisht lajme të kronikës së zezë, statistikat e Policisë së Kosovës thonë se numri i vrasjeve në vitin 2024 është 44% më i vogël krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023.

“Vrasjet nga 25 raste në 14 raste, rënie -44%, Lëndim i rëndë trupor, nga 167, në 163, rënie për -2.4%, Lëndim i lehtë trupor, nga 2011, në 1996, rënie për -0.75%”, ka thënë Policia e Kosovës për lajmi.net. 

Për dallim nga numri i vrasjeve, gjatë këtij viti sipas Policisë së Kosovës është rritur numri i armëve të konfiskuara.

“Numri i armëve të konfiskuar është rritur nga 939, në 1186, ose 26.3 %”, ka thënë Policia e Kosovës. 

Sipas Policisë, edhe numri i personave të arrestuar është rritur për 5.3%, ndërsa numri i personave të ndaluar në Qendrat e ndalimit është rritur për 15.3%./Lajmi.net/