Pesë të arrestuar për tjetërsimin e një prone 2-hektarëshe në Fushë Kosovë, dyshohet se vlera arrin në 1.5 milion euro

Pesë persona janë arrestuar sot në Prishtinë nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, lidhur me tjetërsimin e një prone prej dy hektarësh në Fushë Kosovë, me vlerë prej 1.5 milion eurosh. Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se arrestimet janë kryer në koordinim me Policinë e Kosovës,…

Lajme

08/09/2026 16:31

Pesë persona janë arrestuar sot në Prishtinë nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, lidhur me tjetërsimin e një prone prej dy hektarësh në Fushë Kosovë, me vlerë prej 1.5 milion eurosh.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se arrestimet janë kryer në koordinim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë.

Sipas dyshimeve fillestare të Prokurorisë, personat e përfshirë dyshohet se kanë keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar për ta pajisur personin me inicialet M.S. me fletë poseduese për pronën në Fushë Kosovë.

Më pas, sipas Prokurorisë, M.S. dyshohet se, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka tentuar që këtë pronë ta tjetërsojë përmes shitblerjes te dy persona të tjerë, me dokumente të falsifikuara.

Vlera e pronës, sipas Prokurorisë, është rreth një milion e pesëqind mijë euro.

Të dyshuarit po hetohen për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 dhe neni 31 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Arrestimi është realizuar nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ndërsa me urdhër të prokurorit të shtetit, pesë të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se do të vazhdojë me veprimet hetimore lidhur me rastin. /Lajmi.net/