Pesë projektligje të reformës në drejtësi hapen për konsultim publik
Pesë projektligje të rëndësishme në kuadër të reformës në drejtësi janë hapur për konsultim publik, duke shënuar një hap të ri drejt rritjes së transparencës dhe përfshirjes së publikut në procesin legjislativ. Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se projektligjet synojnë forcimin e sistemit të drejtësisë dhe rritjen e llogaridhënies…
Lajme
Pesë projektligje të rëndësishme në kuadër të reformës në drejtësi janë hapur për konsultim publik, duke shënuar një hap të ri drejt rritjes së transparencës dhe përfshirjes së publikut në procesin legjislativ.
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se projektligjet synojnë forcimin e sistemit të drejtësisë dhe rritjen e llogaridhënies në këtë sektor. Ajo ka ftuar profesionistët e fushës, përfaqësuesit e institucioneve, shoqërinë civile, mediat dhe të gjithë të interesuarit që të kontribuojnë me komente brenda afatit prej 15 ditësh pune, transmeton lajmi.net.
“Shteti ligjor, i barabartë dhe i drejtë për të gjithë, ndërtohet, forcohet dhe mbrohet nga të gjithë ne së bashku”, është shprehur ajo.
Sipas saj, këto projektligje synojnë të krijojnë një kuadër më të qartë dhe më të drejtë për funksionimin e sistemit të drejtësisë, duke adresuar çështje të rëndësishme si vlerësimi i performancës, kontrolli i integritetit, përgjegjësia disiplinore dhe proceset e rekrutimit për gjyqtarët dhe prokurorët.
“Secili prej këtyre pesë ligjeve ka një synim të veçantë. Disa përmirësojnë mënyrën se si vlerësohet dhe kontrollohet puna e të gjithë punonjësve të sistemit të drejtësisë; të tjerat rrisin përgjegjësinë dhe integritetin e gjyqtarëve dhe prokurorëve…”, ka theksuar ajo, duke shtuar se një pjesë e tyre lidhen edhe me forcimin e institucioneve mbështetëse si Akademia e Drejtësisë, Këshilli Prokurorial dhe Këshilli Gjyqësor.
Projektligjet përfshijnë rregullimin e statusit dhe vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, përgjegjësinë disiplinore, si dhe ndryshime në ligjet për Akademinë e Drejtësisë, Këshillin Prokurorial dhe Këshillin Gjyqësor.
Në fund, është bërë e ditur se të gjitha komentet dhe propozimet e pranuara gjatë kësaj periudhe do të shqyrtohen nga grupi punues, i cili do të bëjë përgatitjen përfundimtare të projektligjeve.
Komunikata e plotë:
5 projektligje të hapura për konsultim publik, Ministrja Gërvalla: Shteti ligjor, i barabartë dhe i drejtë për të gjithë, ndërtohet, forcohet dhe mbrohet nga të gjithë ne së bashku
Me rastin e finalizimit të pesë projektligjeve thelbësore në kuadër të reformës në drejtësi, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, njofton se ato tashmë janë të hapura për konsultim publik.
Projektligjet përkatëse mund t’i gjeni në linqet e bashkëngjitura:
– https://konsultimet.rks-gov.net/viewConsult.php?ConsultationID=43005 (Projektligji për Rekrutimin, Vlerësimin e Performancës, Kontrollin e Integritetit dhe Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve);
– https://konsultimet.rks-gov.net/viewConsult.php?ConsultationID=43006 (Projektligji për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve);
– https://konsultimet.rks-gov.net/viewConsult.php?ConsultationID=43007 (Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit Nr. 05/L-095 për Akademinë e Drejtësisë);
– https://konsultimet.rks-gov.net/viewConsult.php?ConsultationID=43008 (Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës);
– https://konsultimet.rks-gov.net/viewConsult.php?ConsultationID=43009 (Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit Nr. 06/L-055 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës).
Me këtë rast, ajo fton profesionistët e fushës së drejtësisë, studiuesit dhe profesorët, gjyqtarët e prokurorët, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe të mediave, si dhe gjithë të interesuarit të dërgojnë komentet e tyre me shkrim, brenda afatit kohor prej 15 ditë pune.
“Shteti ligjor, i barabartë dhe i drejtë për të gjithë, ndërtohet, forcohet dhe mbrohet nga të gjithë ne së bashku”, u shpreh Ministrja Gërvalla.
Ajo theksoi se këto pesë ligje rrisin llogaridhënien dhe krijojnë një kuadër më të qartë dhe më të drejtë për të gjithë profesionistët e sistemit të drejtësisë.
“Secili prej këtyre pesë ligjeve ka një synim të veçantë. Disa përmirësojnë mënyrën se si vlerësohet dhe kontrollohet puna e të gjithë punonjësve të sistemit të drejtësisë; të tjerat rrisin përgjegjësinë dhe integritetin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, përmirësojnë proceset e rekrutimit dhe vlerësimit, si dhe rregullojnë mënyrën se si trajtohen çështjet disiplinore dhe standardet profesionale. Ndërsa disa të tjera forcojnë institucionet që mbështesin trajnimin dhe menaxhimin e sistemit të drejtësisë, si dhe funksionimin e Akademisë së Drejtësisë, por edhe të Këshillit Prokurorial dhe Këshillit Gjyqësor”, vazhdoi tutje Ministrja.
Në fund, duke falënderuar të gjithë për kontributin në përmirësimin dhe forcimin e sistemit të drejtësisë në Republikën e Kosovës, Ministrja Gërvalla siguroi se çdo propozim apo koment i pranuar brenda këtij afati do të trajtohet me vëmendje të veçantë nga grupi punues, i cili do të bëjë konsolidimin përfundimtar të projektligjeve./lajmi.net/