Pesë ditë afat për ZRRE që të zbatoj vendimin e Supremes, ndryshe OEK paralajmëron kallëzim penal

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka reaguar ashpër ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), duke e akuzuar për keqinterpretim të Aktgjykimit të Gjykatës Supreme në lëndën P.A.nr.18/2025 dhe duke paralajmëruar kallëzim penal ndaj kryetarit të Bordit të këtij institucioni, nëse vendimi nuk zbatohet brenda pesë ditësh. Në njoftimin e saj, OEK thekson se Gjykata…

Lajme

01/12/2025 15:01

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka reaguar ashpër ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), duke e akuzuar për keqinterpretim të Aktgjykimit të Gjykatës Supreme në lëndën P.A.nr.18/2025 dhe duke paralajmëruar kallëzim penal ndaj kryetarit të Bordit të këtij institucioni, nëse vendimi nuk zbatohet brenda pesë ditësh.

Në njoftimin e saj, OEK thekson se Gjykata Supreme ka konfirmuar se procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike është zbatuar në kundërshtim me ligjin, pa analizë konkurrence, pa konsultime publike dhe jashtë kompetencave ligjore të rregullatorit.

Sipas OEK-ut, vendimi i Supremes është “i formës së prerë, i pakontestueshëm dhe i detyrueshëm për zbatim të menjëhershëm”.

Oda kritikon ashpër komunikatën e ZRRE-së të datës 18 nëntor, duke e cilësuar si tentim për të “relativizuar këtë vendim, duke krijuar pasiguri të re ligjore dhe duke ekspozuar bizneset ndaj rreziqeve ekonomike dhe dëmeve të mëtejshme”.

Në reagim thuhet se: “Vendimi i Gjykatës Supreme është i detyrueshëm për zbatim nga çdo institucion publik. Asnjë organ administrativ nuk mund ta interpretojë ose ta zbehë efektin juridik të këtij vendimi. Çdo veprim i bazuar në aktet e shfuqizuara bie ndesh me rendin juridik të Republikës së Kosovës.”

Sipas OEK-ut, bizneset janë dëmtuar rëndë nga procesi i liberalizimit që tashmë është konfirmuar si i paligjshëm, duke u përballur me rritje çmimesh, kontrata të imponuara dhe depozita të pajustifikuara.