Përvjetori i Baballoqit, Haradinaj: Nga kjo ditë nisi lufta frontale në Dukagjin
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinajn ka kujtuar Betejën e Baballoqit, ndërsa tha se kjo ngjarje hapi një epokë të re të historisë së luftës çlirimtare. Ai tha se dita e 21 prillit 1998, përpos që nisi luftën frontale në Rrafshin e Dukagjinit, mobilizoi burra e gra që të rreshtohen nën emblemën e UÇK-së, dhe sipas…
Lajme
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinajn ka kujtuar Betejën e Baballoqit, ndërsa tha se kjo ngjarje hapi një epokë të re të historisë së luftës çlirimtare.
Ai tha se dita e 21 prillit 1998, përpos që nisi luftën frontale në Rrafshin e Dukagjinit, mobilizoi burra e gra që të rreshtohen nën emblemën e UÇK-së, dhe sipas tij, kjo ndikoi që shtrirja e luftës çlirimtare të jetë masovike.
“Dy vjet para Betejës së Baballoqit, më 1996, Armend Daci, studenti i dalluar nga Irzniqi i Deçanit, që ishte bashkuar në UÇK me Adrian Krasniqin dhe Edmond Hoxhën, do të binte në një atentat të organizuar nga forcat e pushtuesit në Prishtinë. Në vitin 1999, në Bullaj të Marecit, do të binte heroikisht bashkë me shokët e plagosur, Afrim Vitia e Sokol Sopi, atdhetari i madh, luftëtari i dalluar, Isa Kastrati. Emrin e tij do ta nderonte në beteja deri në çlirim, “Brigada 172” e Zonës Operative të Karadakut”, shkroi ai në Facebook
Ai kujtoi gratë dhe burrat që u ekzekutuan 27 vjet më parë në fshatra të disa komunave të Kosovës.
“Sa më shumë që afrohej liria, shteti serb intensifikonte terrorin ndaj popullatës civile. Kujtojmë sot motrat dhe vëllezërit tanë që u ekzekutuan 27 vjet më parë në Grashticë të Prishtinës, 60 burra që u ndanë nga familjarët e tyre, të cilët kishin lënë shtëpitë në përpjekje për t’i shpëtuar dorës kriminale serbe. Në Nakaradë të Fushë-Kosovës, u shua e gjithë familja Mirena, 16 anëtarë të saj u vranë me një mizori që nuk përshkruhet. Në Dragaqinë të Suharekës, 11 pleq të fshatit u ekzekutuan pa mëshirë, ndërsa në Sopijë, 8 anëtarë të familjeve Ilazi dhe Sopa u vranë në shtëpitë e tyre. Përgjithmonë të përulur dhe mirënjohës për ata që jetën ia falën lirisë së Atdheut. I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!”, ka shkruar ai.