Përveç mjekëve e infermierëve, pagë shtesë prej 300 euro edhe për stafin mbështetës

Qeveria në detyrë e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur mbrëmjen e së premtes, ka miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë nr. 01/19 të datës 30.03.2020 për Pakon Emergjente Fiskale që përcakton saktësisht përfitimet dhe përfituesit nga kjo pako.

Lajme

18/04/2020 12:16

Ndër ndryshimet dhe plotëzimet e aprovuara të këtij vendimi është edhe ai për përfitimet financiare që do të gëzojnë personat që janë të ekspozuar drejtpërdrejtë në rrezikun e infektimit me COVID-19.

Teksa në Pakon Fiskale Emergjente ishte paraparë sigurimi i shtesës mbi pagë në vlerë prej treqind (300 €) euro për punëtorët në terren dhe që janë të ekspozuar drejtpërdrejt rrezikut të infektimit në punën e tyre, por jo i gjithë stafi i institucionit, vetëm stafi mjekësor si mjekët dhe infermierët, në ndryshimet e këtij vendimi, thuhet se përfitues do të jenë edhe stafi mbështetës.

“Ndryshimet e vendimit përcaktojnë se përfitues të mbështetjes financiare janë stafi mjekësor dhe ai mbështetës (mjekët, infermierët dhe personeli tjetër i ekspozuar ndaj rrezikut)”, thuhet në vendimin e mbrëmshëm të Qeverisë në detyrë.

Po ashtu, ndryshimet dhe plotësimet e aprovuara të këtij vendimi përcaktojnë se përfitues të shumës prej 30 euro janë të gjithë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale që marrin pagesë mujore me vlerë deri në 100 euro dhe  ndryshimi tjetër përcakton se përfitues të mbështetjes financiare do të jenë shoqëritë tregtare edhe punëdhënësit e tjerë. /Lajmi.net/