Përurohet segmenti i parë i autostradës “Arbën Xhaferi”

Në një ceremoni, ku morën pjesë edhe krerët më të lartë të shtetit, është përuruar segmenti i parë i autostradës “Arbën Xhaferi”

Lajme

25/10/2015 13:31

Autostrada lidh Prishtinën me Shkupin, duke shkurtuar ndjeshëm distancat mes dy kryeqyteteve. Në ceremoni kanë marrë fjalën edhe udhëheqës shtetërorë.

Kryeministri Isa Mustafa është shprehur se “ky është udhëkryqi më i madh në rajon, për të cilin janë bërë punë cilësore, që qeverisë së Kosovës i kanë kushtuar 600 milionë euro”, raporton Top Channel.

“Investime të tilla do të vazhdojnë edhe në lidhje me Mitrovicën, sikurse do të prekin edhe linjën hekurudhore”, ka thënë Mustafa.

I pranishëm në këtë ceremoni, kreu i Kuvendit Kadri Veseli është shprehur ndër të tjera se, “Kuvendi do të vazhdojë me përgjegjësitë e veta për qytetarët”. Ndërkohë, ai ka falënderuar ambasadorët e huaj të akredituar në Prishtinë, të cilëve “u jemi përjetë mirënjohës për kontributin në ndërtimin e shtetit ligjor dhe ekonomik”.

“Zotohemi se Republika e Kosovës është një investim i përbashkët dhe do të përmbushim të gjitha detyrat tona. Kosova – sipas tij, – do të jetë sinonim i shtetit ligjor dhe kurrë nuk do të bëhet vatër e krimit të organizuar apo anarkisë”, ka thënë Veseli.