Përurohet Qendra ‘Libart’ dhe ‘Biblioteka Qarkulluese’

Nga dita e sotme të rinjve kosovarë iu shtua një qendër e re për Edukim dhe Kulturë “Libart” si dhe “Biblioteka Qarkulluese”. Me aktivitete të përjavshme kjo qendër synon ngritjen e cilësisë në sistemin arsimor të Kosovës.

ShowBiz

16/07/2020 17:43

Drejtori i Organizatës ETEA, Agon Ahmeti tha se kjo ide ka ardhur duke parë mungesën e aktiviteteve në biblioteka.

“Qendra ‘Libart’ në fillim i ka marrë parasysh edhe disa hulumtime që i kemi bërë për mungesën e aktiviteteve që bibliotekat publike, po thuajse të gjitha në Kosovë i kanë. Përveç shërbimeve të zakonshme që kryejnë siç janë huazimi i librit dhe hapësira për lexim….Disa prej aktiviteteve që do të realizohen në pothuajse maksimumi çdo 10 ditë janë takime të ndryshme me shkrimtarë, shfaqje të filmave që kanë të bëjnë me shkrimtarë, dialogë socio- kulturore e kështu me radhë”, ka thënë ai.

Drejtoresha e kulturës në Prishtinë, Blerta Basholli tha se si Komunë e kanë vlerësuar si shumë të rëndësishme krijimin e kësaj qendre.

“Biblioteka ‘Hivzi Sylejmani’ e ka një “jetë” të vetën sepse ka qarkullim të shumë studentëve që vinë. Mirëpo aktivitetet e ndryshme janë pikërisht ajo që shpesh herë ne, as biblioteka përkundër aktivitetit dhe ideve që kanë nuk kemi shumë mundësi me i realizua. Janë pikërisht organizatat e ndryshme jo qeveritare që mundën me ardhë në institucione me ide të ndryshme dhe me i dhanë jetë institucioneve”, ka thënë ajo

Kurse, shefja e bibliotekës “Hivzi Sylejmani”, Fatime Mehmetaj ka thënë se në bashkëpunim me qendrën “Libart” do të ketë aktivitete të shumta gjatë vitit.

“Besoj që kjo qendër do të ketë aktivitete të shumta gjatë vitit, biblioteka ‘Hivzi Sylejmani’ në mungesë të stafit dhe mjeteve buxhetore nuk ka pasur mundësi me realizu aktivitete të shumta në këto hapësira përveç huazimit dhe shfrytëzimit të sallave. Besoj që në bashkëpunim me qendrën ‘Libart’ do të ketë aktivitete të shumta gjatë vitit të cilat do të jenë në dispozicion të lexuesve të bibliotekës”, ka thënë ajo.

Qendra për Edukim dhe Kulturë “Libart” mundësohet nga Komuna e Prishtinës, Organizata ETEA dhe Biblioteka Hivzi Sulejmani Prishtinë. Ndërsa, Biblioteka Qarkulluese me strategjitë e lexim-kuptimit” implementohet nga organizata ETEA me seli në Prishtinë dhe organizata The Library Project – Kosova me seli në Stokholm me mbështetjen e GIZ Kosovo. /KP