Përurohet memoriali kushtuar daljes së parë publike të UÇK-së

Në 27 vjetorin e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, në Llaushë të Drenicës është përuruar sot një memorial kushtuar kësaj ngjarjeje. Deklarata e UÇK-së ishte lexuar më 28 nëntor 1997, në varrimin e mësuesit Halit Geci, i cili ishte vrarë dy ditë më herët. Forcat serbe kishin gjuajtur në drejtim të shkollës së…

Lajme

28/11/2024 12:23

Në 27 vjetorin e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, në Llaushë të Drenicës është përuruar sot një memorial kushtuar kësaj ngjarjeje.

Deklarata e UÇK-së ishte lexuar më 28 nëntor 1997, në varrimin e mësuesit Halit Geci, i cili ishte vrarë dy ditë më herët.

Forcat serbe kishin gjuajtur në drejtim të shkollës së fshatit pa asnjë provokim.

Në ceremoninë e përurimit, të organizuar nga Komuna e Skenderajt morën pjesë qindra qytetarë, ish-ushtarë të UÇK-së, familje të dëshmoreve, veteranë e invalidë të luftës.

Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura tha se shfaqja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e cila nuk duroi padrejtësitë, u bë në ditën më të rëndësishme për popullin shqiptar – 28 Nëntorin. Më 28 nëntor 1912 ishte shpallur pavarësia e Shqipërisë.

Ndër të tjera, Nura u shpreh i gëzuar për inaugurimin e memorialit dhe sipas tij kjo tregon për ruajtjen e trashëgimisë të luftës së fundit në Kosovë.

Ish-nxënësi i Halit Gecit, Arbër Geci tha se ky memorial dhe shumë të tjerë duhet të trajtohen si vende të shenjta, përmes së cilave përkujtohet sakrifica e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.