Personi i cili u ther sot në Postë, ka lëndime të lehta – flasin nga QKUK-ja

Një incident i rëndë ka ndodhur sot brenda objektit të Postës së Kosovës. Një person ka therur me thikë një koleg të tij, shkruan lajmi.net. Për këtë rast, detaje kanë dhënë edhe nga Policia e Kosovës. Zëdhënësja Flora Ahmeti ka thënë se personi i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor. “Sot rreth orës 09 :00,…

Lajme

09/07/2025 16:44

Një incident i rëndë ka ndodhur sot brenda objektit të Postës së Kosovës.

Një person ka therur me thikë një koleg të tij, shkruan lajmi.net.

Për këtë rast, detaje kanë dhënë edhe nga Policia e Kosovës. Zëdhënësja Flora Ahmeti ka thënë se personi i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor.

“Sot rreth orës 09 :00, kemi marrë informatën për një lëndim trupor të ndodhur në lagjen Ulpiana në Prishtinë. Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast nga një mjet i mprehtë dyshohet të jetë lënduar një person i cili është dërguar për trajtim mjekësor, ndërkohë që policia ka nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij rasti i cili është cilësuar si lëndim i rëndë trupor”, ka thënë Ahmeti.

Po ashtu, për lajmi.net, ka folur edhe Drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla, i cili ka thënë se viktima nuk ka lëndime të rënda.

“Po është sjellë në mëngjesë, nuk ka pas lëndime të rënda”, ka thënë Syla.

Në lidhje me rastin detaje ka dhënë zëdhënësi i Postës së Kosovës, Arsim Mehmeti.

“Sot gjatë ditës ka ndodhur një incident në rrethana të cilat ende janë të pa qarta. Rasti është duke u hetuar nga Policia e Kosovës, ndërkohë që ndërmarrja po ndërmerr të gjitha masat konform Ligjit dhe Rregulloreve të brendshme të saj”, ka thënë Mehmeti për lajmi.net.

Për këtë rast, Reporteri ka raportuar se i përfshirë është djali i Sabit Gecit, Kushtrim Geci i cili pas therjes me thikë që i ka bërë kolegut është arratisur.

Sipas Reporterit viktima, është Sadri Shala 46 vjeç, anëtarë i Kryesisë së PDK-së në Lipjan dhe i njëjti ka marrë lëndime në dorë ndërsa është trajtuar në QKUK.