‘‘Përshkallëzimi i Putin’’, Maliqi: Logjika e thotë se do të përfshihet edhe Kosova, ndërkohë ne jemi në bela me aleatë
Njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi, ka thënë se lideri rus Putin ka ndërmarr një seri provokimesh për ta testuar gatishmërinë dhe unitetin e NATO-s, veçanërisht reagimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke treguar kështu se ai është në disponim për ta përshkallëzuar situatën. Maliqi ka theksuar se së pari para dhjetë ditësh u…

Lajme
Njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi, ka thënë se lideri rus Putin ka ndërmarr një seri provokimesh për ta testuar gatishmërinë dhe unitetin e NATO-s, veçanërisht reagimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke treguar kështu se ai është në disponim për ta përshkallëzuar situatën.
Maliqi ka theksuar se së pari para dhjetë ditësh u shfaqën rreth 20 dronë rusë në Poloni, pastaj tre avionë ushtarakë rusë u futën në hapësirën ajrore të Estonisë, ndërsa sot aeroportet e Londrës, Berlinit dhe Brukselit u përballën me sulme kibernetike, si formë e luftës hibride.
Kësisoj, Maliqi ka vlerësuar se, logjika thotë se fushatë përshkallëzimi e provokimi do ta përfshijë edhe Kosovën.
‘‘Ndërkohë ne jemi pa institucione legjitime dhe në bela me aleatët’’, ka shkruar ai mes tjerash.
Postimi:
VJESHTA PËRSHKALLËZUESE E PUTINIT
Negociatat në mes të Rusisë dhe perëndimit mbi Ukrainën kanë ngecur, sepse kjo e fundit (dhe Evropa) me të drejtë nuk po pajtohen me kushtet e Rusisë, që nënkuptojnë efektivisht kapitulim. Për këtë arsye, brenda dhjetë ditëve të fundit, Putin e ka ndërmarrë një seri provokimesh për ta testuar gatishmërinë dhe unitetin e NATO-s, veçanërisht reagimin e SHBA. Pra ai është në disponim për ta përshkallëzuar situatën.
Fillimisht para dhjetë ditësh u shfaqën rreth 20 dronë rusë në Poloni. Pastaj tre avionë ushtarakë rusë u futën në hapësirën ajrore të Estonisë. Më thellë në perëndim, sot aeroportet e Londrës, Berlinit dhe Brukselit u përballën me sulme kibernetike, si formë e luftës hibride. Estonia dhe Polonia kanë thirrur takime konsultimi në NATO në përputhje me nenin 4 të Traktatit të NATO-s.
Logjika thotë se kjo fushatë përshkallëzimi dhe provokimi do ta përfshijë edhe Ballkanin, ku elementet ruse do ta sfidojnë NATO-n në pikat më të brishta si në Kosovë apo Bosnje. Ndërkohë ne jemi pa institucione legjitime dhe në bela me aleatët.