Përshëndetje nga Ashton

Baronesha Catherine Ashtron përshëndet Kosovën për mbajtjen e zgjedhjeve, me të cilat është e kënaqur. Sipas saj, zgjedhjet janë kruciale për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Po ashtu, konfirmon takimin e së enjtes me Kryeministrat Thaçi e Dacic.

Lajme

03/12/2013 13:45

Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Europian, Catherine Ashton, është shprehur e kënaqur me mënyrën se si Kosova zhvilloi raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave më 1 dhjetor.

Në një deklaratë të lëshuar sot, Baronesha Ashton ka konfirmuar se të enjten do t’i takojë Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Dacic, në kuadër të dialogut të nisur për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

“Jam shumë e kënaqur me raundin e dytë të votimeve për Kryetarë të Komunave në Kosovë më 1 dhjetor dhe dua t’i përgëzoj edhe një herë votuesit për pjesëmarrjen e tyre. Këto zgjedhje janë kruciale për Kosovën dhe për procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë”.

“Dua ta falënderoj OSBE’në për përpjekjet e tyre të palodhshme në lehtësimin e zgjedhjeve në Veri. Gjithashtu dua ta përgëzoj Shefin e Vëzhguesve të Bashkimit Europian Roberto Gualtieri për punë e madhe të bërë”.

“Unë do t’i takoj Kryeministrat Ivica Dacic dhe Hashim Thaçi të enjten, më 5 dhjetor, për një raund të ri të dialogut, të cilin jam duke e lehtësuar”.

“Ne do të diskutojmë se si t’i çojmë përpara çështjet e mbetura në implementimin e Marrëveshjes së Prillit. Kjo është e rëndësishme sidomos në prezantimin e raportit tim të radhës për dialogun para Këshillit Europian në dhjetor”, ka thënë Ashton.