Përse festohet Fitër Bajrami?

Fitër Bajrami është festa e cila bëhet pas mbarimit të muajit të Ramazanit.

Fun

15/06/2018 11:18

Emri Fitër Bajram vjen nga ajo se myslimanët para ditës së bajramit shpërndajnë lëmoshë, solidarizohen me të varfrit, kështu për ta festuar së bashku këtë festë.

All-llahu i Madhëruar ligjësoi në fund të muajit të Ramazanit festën e Fitër Bajramit, gëzim për myslimanët ashtu siç ligjësoi festën e Kurban Bajramit në ditën e dhjetë të muajit Dhul-Hixhxhe. Festa e Bajramit manifestohet duke falur namazin e Bajramit.

Ajete dhe hadithe mbi Bajramin:

  • Transmetohet nga Enesi [radijall-llahu anhu], i cili thotë: “Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] erdhi në Medine dhe gjeti njerëzit duke festuar dy ditë të caktuara. Ai pyeti: “Çfarë janë këto dy ditë”? Ata u përgjigjën: Në periudhën e injorancës, këto ditë ishin festa për ne. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] tha: “All-llahu ua zëvendësoi me dy ditë më të mira, me Kurban Bajramin dhe Fitër Bajramit.” (Ebu Davudi, Nesaiu, Ahmedi – hadith sahih)
  • All-llahu [subhanehu ve teala] në Kur’anin Famëlartë thotë: “Ka shpëtuar ai që është pastruar. Që përkujton madhërinë e Zotit të vet dhe falet.” (A’la: 14-15) Po ashtu All-llahu [subhanehu ve teala] thotë: “Ti falu dhe prej kurban për hir të Zotit tënd.” (Keuther: 2)
  • Ummu Atijje thotë: “Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] urdhëronte edhe gratë që të dalin dhe të falin namazin e Bajramit”. (Buhariu, Muslimi)
  • Ibën Kajjimi [rahimehull-llah] thotë: “Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] vononte namazin e Fitër Bajramit dhe shpejtonte namazin e Kurban Bajramit, e Ibën Omeri për shkak të përkujdesjes së tij të madhe në pasimin e sunnetit, nuk dilte në namaz derisa të lindte Dielli.”
  • Transmeton Nafiu nga Ibën Omeri [radijall-llahu anhuma] se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] lahej ditën e Bajramit para se të shkojë në musal-la (Hapësirë e madhe ku falet namazi i Bajramit.. (Bejhakiu dhe Maliku – hadith sahih)
  • Transmeton Xhabiri [radijall-llahu anhu] se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka pasur një xhybe të veçantë, që e ka veshur në dy bajramet dhe në xhuma. (Ibën Huzejme në sahihun e tij)
  • Enesi [radijall-llahu anhu] thotë: Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] para se të shkojë për të falur namazin e Bajramit hante hurma.
  • Aliu [radijall-llahu anhu] thotë: Prej sunnetit është shkuarja në musal-la për të falë namazin e Bajramit këmbas.
  • Ibën Kajjimi [rahimehull-llah] thotë: Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ditën e Bajramit e ndërronte rrugën, shkonte në një rrugë dhe kthehet nga një tjetër.
  • Ummu Atijje thotë: Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] urdhëronte edhe gratë që të dalin dhe të falin namazin e Bajramit. (Buhariu, Muslimi)