Përplasjet politike vazhdojnë, Kërçeli akuzon LDK-në se po kërkon udhëheqës jashtë strukturave të saj

Deputeti i zgjedhur nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, ka kritikuar mundësinë e kandidimit të Përparim Ramës për postin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke e cilësuar situatën si një paradoks politik. Përmes një postimi në Facebook, Kërçeli ka ironizuar faktin se, sipas pretendimeve të tij, Rama mund të kandidojë për të…

Lajme

24/06/2026 12:57

Deputeti i zgjedhur nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, ka kritikuar mundësinë e kandidimit të Përparim Ramës për postin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke e cilësuar situatën si një paradoks politik.

Përmes një postimi në Facebook, Kërçeli ka ironizuar faktin se, sipas pretendimeve të tij, Rama mund të kandidojë për të udhëhequr partinë pa qenë anëtar i saj.

“Në zgjedhjet për kryetar, të gjithë anëtarët e LDK-së do të kenë të drejtë vote, përveç vetë kandidatit për kryetar, sepse ende nuk është anëtar i partisë që synon ta udhëheqë. Shpresoj që, pasi të zgjidhet kryetar, puna e tij e parë të jetë plotësimi i formularit të anëtarësimit në LDK”, ka shkruar ai.

Kërçeli ka ngritur gjithashtu pyetje lidhur me nevojën që LDK-ja të kërkojë një kandidat jashtë strukturave të saj, duke përmendur profesorët, intelektualët, politikanët veteranë dhe brezin e ri të partisë.

Sipas tij, nëse një parti me historinë dhe traditën e LDK-së nuk arrin ta gjejë udhëheqësin brenda radhëve të veta, atëherë problemi qëndron te vetë partia dhe jo te kandidati.

Në reagimin e tij, deputeti i LVV-së ka përsëritur qëndrimin e shprehur edhe gjatë fushatës zgjedhore, duke pretenduar se LDK-ja “nuk po drejtohet më nga anëtarët e saj, por po jepet me qira”.

Në fund të postimit, ai ka hedhur dyshime edhe mbi drejtimin politik të partisë, duke pyetur nëse LDK-ja po zgjedh një kryetar për ta forcuar veten apo po përgatitet të afrohet më shumë me PDK-në. /Lajmi.net/