Përplasjet e Kurtit me SHBA-të, Berisha: Ka ardhur koha për thirrjen “Albin ik”
Kur ka mbetur më pak se një javë nga zgjedhjet e rregullta parlamentare në Kosovë të cilat pritet të mbahen me datë 9 shkurt 2025, kritika të mëdha janë hedhur në drejtim të Qeverisë edhe kryeministrit Albin Kurti nga zyrtari i lartë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Richard Grenell. Grenell dy ditë më…
Lajme
Kur ka mbetur më pak se një javë nga zgjedhjet e rregullta parlamentare në Kosovë të cilat pritet të mbahen me datë 9 shkurt 2025, kritika të mëdha janë hedhur në drejtim të Qeverisë edhe kryeministrit Albin Kurti nga zyrtari i lartë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Richard Grenell.
Grenell dy ditë më parë tha se Shteteve të Bashkuara u duhen partnerë të besueshëm në Ballkan, ndërsa Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sipas tij, nuk është e tillë.
Gjatë katër viteve të fundit, Kurti ka qenë disa herë në shënjestër të kritikave nga aleatët ndërkombëtarë, për shkak të disa vendimeve në veri të Kosovës, zone kjo e banuar me shumicë serbe – që lidheshin me zëvendësimin e targave serbe me ato të Kosovës, heqjen e dinarit serb nga përdorimi apo mbylljen e institucioneve serbe.
Këto veprime Kurti i ka justifikuar si hapa drejt shtrirjes së sundimit të ligjit në veri dhe ka thënë se ato janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Mirëpo Bashkësia ndërkombëtare, në disa raste, i pati cilësuar si të njëanshme dhe të pakoordinuara me aleatët.
Përplasjet e opozitës me qeverinë aktuale kanë qenë në vazhdimësi rreth asaj se çfarë ka pësuar Kosova pas veprimeve të Kurtit, ku Kosova edhe është sanksionuar.
Nga opozita mendojnë se nuk duhet lejuar që vendimet e marra nga kryeministri Kurti të rrezikojnë të ardhmen e vendit.
Në lidhje me qëndrimet e tyre për lajmi.net, ka folur deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hisen Berisha i cili thotë se deklaratat e fundit të Grenell, janë një sinjal i qartë për krizën e thellë në marrëdhëniet mes qeverisë dhe SHBA-ve.
“Grenell ka theksuar se Kurti ka kundërshtuar çdo iniciativë të propozuar nga administratat e presidentëve Clinton, Bush, Obama, Biden dhe Trump, duke e bërë atë një partner të pabesueshëm për SHBA-në”, ka thënë ai.
Sipas tij qëndrimet e Kurtit kanë dëmtuar rëndë raportet me SHBA-në.
“Këto qëndrime të Kurtit kanë dëmtuar rëndë raportet me SHBA-në, pasi ai shpesh ka vepruar pa koordinim me Uashingtonin, duke lënduar besimin dhe bashkëpunimin e ndërtuar me dekada”, thotë Berisha.
Berisha tutje shprehet duke thënë se në rast se kryeministri Kurti do të vazhdojë të njëjtin “avaz”, do të sjellë edhe pasoja të tjera në vend. Për këtë ai thotë se i pari qeverisë duhet të dalë para popullit dhe të tërhiqet nga gara dhe jeta politike.
“Nëse Albin Kurti dëshiron të ruajë një minimum dinjiteti dhe të shmangë një përballje të dhimbshme me SHBA-në pas 9 shkurtit, ai duhet të dalë para popullit dhe të tërhiqet nga gara dhe jeta politike”, thekson ai.
Deputeti i PDK-së, përballjen me Amerikën për Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), e quan “fatale”, pasi sipas tij do të ketë pasoja edhe për subjektin e tij.
“Amerika kurrë nuk heq dorë nga shteti i Kosovës, dhe ne nuk mund të lejojmë që veprimet e një individi të rrezikojnë të ardhmen tone”, shprehet Berisha.
Tutje ai ka përmendur edhe ngritjen e tre gishtërinjve nga simpatizantët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), një javë më parë në qytetin e Skenderaj, teksa tha se Kosova nuk do të durojë këtë provokim.
“Prekazi, Drenica dhe mbarë Kosova nuk e durojnë provokimin e simbolit të tre gishtërinjve, siç bëri Kurti dhe shpura e tij e jugonostalgjikëve”.
Ndryshe Berisha është shprehur i mllefosur, derisa ka thënë se Kurti për shqiptarët do të kujtohet vetëm si simboli famëkeq i njësive çetnike që mbahen mend për histori krimesh ndaj popullit shqiptar.
“Nëse kryeideologu i tyre, Akademiku Qose, ua ka deshifruar si trinom të ortodoksizmit, apo kryekëshilltari për negociata, Veton Surroi, si tre shtylla për “Republikën e tretë”, për shqiptarët ky është simboli famëkeq i njësive çetnike që mbahen mend për histori krimesh ndaj popullit shqiptar”, thotë ai.
Për të tashmë ka ardhur koha për thirrjen “Albin ik!”, dhe se sipas tij është momenti që Kurti të pranojë përgjegjësinë për veprimet e tij.
Madje siç thotë Berisha tashmë duhet të hapet rruga për një udhëheqje që do të punojë në harmoni me aleatët.
“Prandaj, koha për thirrjen “Albin, ik!” ka ardhur. Është momenti që Kurti të pranojë përgjegjësinë për veprimet e tij dhe të hapë rrugën për një udhëheqje që do të punojë në harmoni me aleatët tanë strategjikë, duke siguruar paqen, stabilitetin dhe prosperitetin për Kosovën”, ka thënë ai për lajmi.net.
Lidhur me dëmin shumëdimensional që Berisha pretendon të ja ketë shkaktuar Kurti, Kosovës ai thotë se do të insistojë në hetimin nga FBI.
Kjo pasi sipas tij gjatë katër viteve janë prodhuar dokumente , përfshirë marrëveshje ndërkombëtare antikushtetuese në dëm të Kosovës.
“Por kjo nuk e amniston atë nga dëmi shumëdimensional që ka shkaktuar në Kosovë gjatë këtyre viteve të angazhimit politik. Duhet patjetër dhe do të insistoj në hetimin nga FBI i tërë procesit politik dhe dialogut e dokumenteve që ka prodhuar ky proces, përfshi marrëveshjet ndërkombëtare antikushtetuese në dëm të Kosovës”, tha Berisha. /Lajmi.net/