Përplasje ekonomistësh: Hoti e Murati “rroken” keq për Terminalet Doganore

 Një përplasje në distancë, përmes statuseve në Facebook ka ndodhur mes dy ekonomistëve, ministrit Hekuran Murati dhe deputetit, dikur kryeministër nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti. Gjithçka nisi pasi Hoti tha se Qeveria ka shtetëzuar terminalet doganore, por që shpenzimet e tyre tanimë nuk i paguajnë bizneset, por qytetarët me taksat e tyre, shkruan lajmi.net.…

Lajme

17/11/2022 23:06

 Një përplasje në distancë, përmes statuseve në Facebook ka ndodhur mes dy ekonomistëve, ministrit Hekuran Murati dhe deputetit, dikur kryeministër nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti.

Gjithçka nisi pasi Hoti tha se Qeveria ka shtetëzuar terminalet doganore, por që shpenzimet e tyre tanimë nuk i paguajnë bizneset, por qytetarët me taksat e tyre, shkruan lajmi.net.

“Këta majtistë që po qeverisin i shtetëzuan terminalet doganore. Por tani shpenzimet e terminaleve doganore nuk i paguajnë bizneset, por qytetarët përmes taksave”, tha ai.

“Shihni buxhetin e Doganës së Kosovës për 2023 dhe dy vitet në vijim: 9.1 mil euro do të shpenzohen për renovim të terminaleve doganore. Këto janë taksa të qytetarëve”, shtoi ai.

Në këtë kuadër, Hoti tha se me këto para, do të ndërtoheshin diku rreth 20 çerdhe për fëmijë.

“Me një vlerësim prej 400-500 mijë euro për ndërtimin e një çerdheje, kjo shumë do të mund të shkonte në ndërtimin e 20 çerdheve për fëmijë”, tha ai.

E kjo shkaktoi reagimin e ministrit Murati. Ky i fundit pyeti Hotin se sa çerdhe i ka ndërtuar qeveria e tij nga privatizimi i terminaleve.

“Le ta pyet dikush deputetin Hoti se, sa çerdhe i patën ndërtu me paratë që i paskan kursy nga privatizimi terminaleve gjatë kohës sa ky me partinë e tij kanë qenë në qeverisje”, shkroi Murati.

“Qeveria jonë po i bën edhe terminalet shtetërore, edhe çerdhet!  Ata para nesh, as terminale, por as çerdhe”, shtoi Murati.

Madje sipas ministrit, edhe ato çerdhe që ishin ndërtuar nga komunat ishin lënë pa staf.

“U desh të vinte Qeveria jonë, që të alokohej edhe stafi prej 243 personave për të funksionalizuar çerdhet që kishin mbetur të pafunksionalizuara nëpër komuna”, shkroi Murati. /Lajmi.net/