Përplasje diplomatike mes Varshavës e Kievit, Polonia ia heq Zelenskyt nderimin më të lartë shtetëror

Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, i është hequr nderimi më i lartë shtetëror i Polonisë, Urdhri i Shqiponjës së Bardhë, për shkak të vendimit të Kievit për t’i vënë një njësie ushtarake emrin e luftëtarëve kontroversë të Luftës së Dytë Botërore. Presidenti polak, Karol Naërocki, e cilësoi vendimin e Ukrainës në fund të muajit të…

Bota

20/06/2026 12:35

Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, i është hequr nderimi më i lartë shtetëror i Polonisë, Urdhri i Shqiponjës së Bardhë, për shkak të vendimit të Kievit për t’i vënë një njësie ushtarake emrin e luftëtarëve kontroversë të Luftës së Dytë Botërore.

Presidenti polak, Karol Naërocki, e cilësoi vendimin e Ukrainës në fund të muajit të kaluar për ta emërtuar njësinë sipas Ukrainian Insurgent Army (Ushtria Kryengritëse Ukrainase) si “skandaloz”, “të pakuptueshëm” dhe “thellësisht zhgënjyes”.

Naërocki theksoi se kjo përplasje diplomatike nuk do të ndikojë në mbështetjen e Polonisë për Ukrainën kundër Rusisë, shkruan BBC.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, e dënoi vendimin e Varshavës, duke e quajtur atë një “gabim strategjik” dhe “mungesë respekti”.

Shumë njerëz në Ukrainë e konsiderojnë UPA-në, e cila ekzistoi gjatë viteve 1940 dhe 1950, si një forcë heroike që luftoi për pavarësinë e Ukrainës kundër Ushtrisë së Kuqe Sovjetike, si dhe kundër Gjermanisë Naziste dhe autoriteteve polake.

Për ukrainasit, titulli “Heronjtë e Ushtrisë Kryengritëse Ukrainase” përbën një nderim të madh.

Megjithatë, Polonia e akuzon UPA-në për kryerjen e gjenocidit ndaj polakëve etnikë në rajonin e Volhynia (sot Volyn në Ukrainë) gjatë viteve 1943–1945.

“Për shumicën dërrmuese të shoqërisë polake, UPA mbetet para së gjithash një formacion përgjegjës për krimet brutale të kryera ndaj qytetarëve të Republikës së Polonisë gjatë Luftës së Dytë Botërore”, tha Naërocki në një video të publikuar në faqen zyrtare të presidencës.

“Për këtë arsye, vendimi i autoriteteve ukrainase për të glorifikuar UPA-në jo vetëm që është skandaloz, por edhe i pakuptueshëm dhe thellësisht zhgënjyes”, tha ai.

“Kjo dëmton jo vetëm kujtesën tonë historike. Ajo gjithashtu minon besimin e ndërtuar ndër vite dhe gjatë muajve të fundit”, shtoi presidenti polak.

Naërocki kujtoi gjithashtu qindra mijëra refugjatë ukrainas që u mirëpritën në Poloni pas nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës në vitin 2022.

“Polakët hapën kufijtë e tyre, shtëpitë e tyre dhe zemrat e tyre për miliona ukrainas”, tha ai.

Ai vazhdoi duke thënë:

“Rruga e Ukrainës drejt strukturave europiane kërkon gjithashtu gatishmëri për t’u përballur me ndershmëri me kapitujt e vështirë të historisë së saj. Një Europë e bashkuar u ndërtua mbi refuzimin e totalitarizmit dhe kultit të dhunës. Këto parime duhet të vlejnë për të gjithë. Për ata që nuk e kuptojnë këtë, nuk mund të ketë vend në Bashkimin Europian dhe Polonia sigurisht që nuk do ta lejojë këtë”.

Kryeministri polak, Donald Tusk, është përpjekur të zbusë tensionet diplomatike në rritje mes Kievit dhe Varshavës.

Duke reaguar në rrjetet sociale të premten, ish-presidenti i Këshillit Europian tha se kjo përplasje “e gëzon” presidentin rus Vladimir Putin dhe u bëri thirrje Volodymyr Zelenskyy dhe Karol Naërocki që “të qetësojnë emocionet dhe jo të nxisin tensionet”.

Për Ukrainën, Ushtria Kryengritëse Ukrainase është simbol i rezistencës dhe luftës për pavarësi, megjithëse Varshava thotë se rreth 100 mijë polakë etnikë u vranë gjatë masakrave të Volhynias.