Përplasje brenda LDK-së: Ministrja Bajrami akuzon Fadil Berjanin se shet naftë jocilësore

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami ka reaguar ndaj një lajmi, në të cilën thuhet se në raportin e progresit për Kosovën, Kosova është kritikuar për cilësinë e naftës.

Lajme

20/11/2016 21:48

Fadil Berjani, i cili drejton Shoqatën e Naftëtarëve të Kosovës dhe anëtar i LDK-së, partisë nga vjen edhe ministrja Bajrami, ka deklaruar se ky raport vërteton kërkesën se duhet të bëhen kontrolle të derivateve nëpër kufijtë e Kosovës.

Fadil Berjani dhe Isa Mustafa

Por ministrja Bajrami, i ka reaguar Berjanit duke thënë se ai vet shet naftë jocilësore, ndërkaq flet për cilësi të naftës.

Lexoni të plotë reagimin e ministres Bajrami:

#Reagim lidhur me kronikën e njëanshme për cilësinë e naftës të transmetuar në RTK dhe KTV

Lidhur me kronikën e transmetuar sonte në televizionin publik RTK si dhe KTV, dëshiroj të bëj këtë sqarim:

Është për keqardhje se si këto dy televizione (RTK dhe KTV) shfaqin kronikë të njëanshme pa e marrë dhe as kërkuar fare opinionin e MTI-së lidhur me këtë çështje. Gazetarët që kanë përgatitur kronikën nuk më kanë kontaktuar mua si udhëheqëse e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, pavarësisht se kam qenë në dispozicion, për të marrë të dhëna të sakta se çfarë kemi berë ne si ministri dhe kush ka provuar të pengojë procesin që ka për qëllim rritjen e cilësisë së naftës në tregun e Kosovës.

Dëshiroj ta bëj të qartë për opinionin publik se MTI, në kuadër të fushëveprimit të vet e ka prioritet verifikimin dhe monitorimin e vazhdueshëm të cilësisë së naftës dhe derivateve të naftës në tregun e brendshëm. Që nga marrja e mandatit tim si ministre e MTI-së kemi punuar me mjaft përkushtim që të vëmë rregull në këtë sektor i cili për fat të keq për vite të tëra ka funksionuar pa rregulla dhe standarde. Kjo sigurisht se nuk po iu pëlqen disa personave që janë mësuar të përfitojnë nga mungesa e rregullit dhe zbatimi i ligjit dhe të cilët përmes prononcimeve mediale mundohen të krijojnë mjegull dhe kështu ta zgjasin më tutje mungesën e rregullit në këtë sektor.

Si ilustrim i përpjekjeve tona, dëshiroj të informoj se gjatë vitit të shkuar dhe gjatë këtij viti, Inspektorati i Tregut i MTI-së ka rritur ndjeshëm volumin e kontrollit sa i takon kontrollimit të cilësisë së karburanteve.

Për më shumë, MTI në mars të këtij viti, ka dorëzur në Kuvend draft-Ligjin e ri për rregullimin e tregut të naftës i cili synim kryesor ka pikërisht rritjen e kontrollit të cilësisë së karburanteve. Ky ligj nuk ka kaluar në Kuvend dhe përgjegjësinë për këtë e kanë një numër deputetësh, të cilët në vend se ta amandamentonin ligjin dhe të ofronin propozime konkrete, ata nuk e kanë bërë as njërën dhe as tjetrën dhe kështu në mënyrë të papërgjegjshme e kanë bllokuar Ligjin, i cili në fakt është mjaft modern dhe në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian për këtë fushë.

Një zë kundërshtues kundër këtij ligji është z. Fadil Berjani, i cili kamuflohet përmes Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, shoqatë e cila nuk dihet se kë përfaqëson, sepse ne si MTI kemi pranuar letra mbështetëse për këtë ligj nga shumë operatorë ekonomikë të cilët merren me tregtinë me karburante. Për më shumë, duhet thënë se shoqata e naftëtarëve, udhëhiqet nga njeriu i cili ka konflikt të hapur interesi në këtë fushë, marrë parasysh se MTI ka gjetur se pikërisht karburanti që z. Berjani e shet në treg është jo cilësor dhe për këtë ai ka një rast të hapur gjyqësor, çka e bën atë krejtësisht jo kredibil dhe jokopmetent për të folur për këtë tematikë.

Për hir të informimit të drejtë të opinionit MTI sqaron se ne vetëm jemi në përfundim e sipër të Udhëzimit Administrativ i cili përfundimisht do të kontribuoj në krijimin e diciplinës sa i takon kontrollimit të cilësisë së naftës që tregtohen në vendin tonë, dhe për fat të keq, edhe në këtë rast z. Berjani është shprehuar kundër këtij udhëzimi duke dëshmuar kështu se është ai një nga akterët i cili nuk është aspak i interesuar që të krijohet rregull në këtë sektor.

Plani i MTI-së lidhur me këtë segment të mbikëqyrjes së tregut është ambicioz për periudhën vijuese, andaj bazuar në standardet dhe procedurat e Bashkimit Evropian, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë shumë shpejt do të vë në funksion dy Laborator Mobil të cilët i kemi blerë, e të cilët do të rrisin shumë nivelin e inspektimit në këtë sektor.

Poashtu, MTI së shpejti do t’i largoj Trupat Inspektuese që kanë funksionuar në Dogana dhe kjo kompetencë do t’i delegohet Doganës së Kosovës, dhe kështu MTI dhe Doganat do të bashkëpunojnë ngushtë në kontrollin e cilësisë së naftës duke marrë parasysh edhe kapacitetet që ka laboratori të cilin e posedon Dogana.

Në anën tjetër, MTI do të nënshkruaj gjatë kësaj jave memorandum bashkëpunimi me Ministrinë e Financave në mënyrë që asnjë licencë për tregtimin me karburante të mos lëshohet nga MTI përderisa pikat shitëse të pajisen me arka fiskale, duke i kontribuar kështu uljes drastike të informalitetit.

Këto janë vetëm disa veprime të cilat i kemi ndërmarrë dhe të cilat do të vazhdohen me vendosmëri derisa ky sektor i rëndësishëm për ekonominë e vendit të funksionojë sipas standardeve të vendeve të BE-së.