Përpjekja e 26-të- Deputetët mblidhen sërish sot për seancën konstituive

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish sot në përpjekjen e radhës për konstituimin e legjislaturës së nëntë. Ky është tentimi i njëzet e gjashtë me radhë që prej 15 prillit kur ka nisur seanca konstituive. Vendi është zhytur në një ngërç politik pasi që Kuvendi nuk po bëhet, rrjedhimisht as qeveri të…

Lajme

04/06/2025 08:21

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish sot në përpjekjen e radhës për konstituimin e legjislaturës së nëntë. Ky është tentimi i njëzet e gjashtë me radhë që prej 15 prillit kur ka nisur seanca konstituive.

Vendi është zhytur në një ngërç politik pasi që Kuvendi nuk po bëhet, rrjedhimisht as qeveri të re nuk mund të ketë.

Tashmë për disa seanca me radhë deputetët po refuzojnë të formojnë një komision për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë për kryetarin e Kuvendit. Votimi i fshehtë është propozuar nga kryesuesi I seancës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari, por është refuzuar nga partitë e tjera parlamentare.

Ideja për votim të fshehtë ka ardhur pasi kandidatja e partisë së parë të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizjes Vetëvendosje – në koalicion me Guxo dhe Alternativa, Albulena Haxhiu nuk po arrin t’i marrë 61 votat e nevojshme për kryeparlamentare.

Çështja e votimit të fshehtë tashmë është edhe në Gjykatën Kushtetuese pasi është dërguar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e mbështetur edhe nga partitë e tjera që deri më tash ishin në opozitë.

Lëvizja Vetëvendosje po insiston në kandidaturën e Haxhiut, ndërkaq, partitë e tjera kanë deklaruar se nuk e mbështesin atë për kryetare të Kuvendit.

Thirrje për zhbllokim të ngërçit politik janë bërë brenda dhe jashtë Kosovës.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka mbajtur një takim më 15 maj me përfaqësues të partive politike, por as aty nuk ka pasur pajtim rreth konstituimit të Kuvendit.

Vazhdimi i seancës konstituive sot, më 4 qershor, pritet të bëhet nga ora 11:00.

Kuvendi do të mund të konstituohet vetëm pasi të zgjedhet kryetari dhe pesë nënkryetarët.

Më pas, i hapet rruga formimit të qeverisë së re.

Sipas rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, asnjë parti nuk e ka fituar shumicën për të qeverisur e vetme.