Përparim Rama sigurohej se edhe Drenasi do u ndihmoj rreth pastrimit në Prishtinë, por Llapushnikun e “mbulojnë” mbeturinat që dy javë

Problemi me mbeturinat tashmë duket se është zgjeruar, jo vetëm në kryeqytet, por edhe në komunën e Drenasit. Në këtë komunë, tash e dy javë po thuajse nuk janë mbledhur fare mbeturinat anipse, në një takim që kishte pasur Përparim Rama, me disa kryetar të komunave e ku prezent kishte qenë edhe kryetari i kësaj…

Lajme

10/06/2025 10:31

Problemi me mbeturinat tashmë duket se është zgjeruar, jo vetëm në kryeqytet, por edhe në komunën e Drenasit.

Në këtë komunë, tash e dy javë po thuajse nuk janë mbledhur fare mbeturinat anipse, në një takim që kishte pasur Përparim Rama, me disa kryetar të komunave e ku prezent kishte qenë edhe kryetari i kësaj komune, Ramiz Lladrovci, ishte thënë se për shkak të gjendjes së rënduar nga mbeturinat në kuadër të bashkëpunimit ndërkomunal, komunat do t’i ndihmojnë njëra-tjetrës sipas nevojës së krijuar.

“Komuna e Prishtinës, në koordinim me komunat tjera aksionare, do të ndërmarrë veprime për të ndihmuar në stabilizimin e situatës në ndërmarrje, me synim që të mbrohet mirëqenia e punëtorëve, pagat dhe vendet e tyre të punës dhe të sigurohet funksionimi normal i ndërmarrjes”, kishte shkruar Rama.

Teksa kishte vazhduar duke thënë se komunat do të angazhojnë operatorë privatë për të siguruar vazhdimësinë e mbledhjes së mbeturinave në territoret përkatëse, me qëllim mbrojtjen e shëndetit publik dhe garantimin e një mjedisi të pastër.

Se a është kryer kjo punë me sukses mbetet të “diskutohet”, kjo pasi në redaksinë e lajmi.net, një qytetar ka dërguar disa fotografi nga ku shihet fshati Llapushnik i “mbuluar”, nga mbeturinat.

Siç ka treguar qytetari, mbeturinat e hedhura nga qytetarët aty nuk janë larguar tash e dy javë nga të cilat është shkaktuar “kundërmim”, me ç’rast ai thotë se frikësohen pasi fëmijët duhet të kalojnë pranë për të shkuar në shkollë.

Mos largimi i mbeturinave kishte ardhur si shkak i grevës nga punonjësit e KRM “Pastrimi”, pas mos plotësimit të kërkesave të tyre e borxhit të cilin komuna refuzonte të jua paguante.

“Sipas deklarimeve e fundit të bëra vetë nga komuna tashmë është negociuar një marrëveshje me një ose dy kompani private në vlerë 2 milion euro, ndërkohë që automjetet dhe resurset e KRM Pastrimi mbesin të papërdorura si pasojë e dëmeve financiare duke mos paguar vetë e as duke mos lejuar të na paguhen shërbimet!! Këto veprime të komunës duhet të zgjojnë reagimin e të gjitha institucioneve të drejtësisë”, kishte thënë kjo kompani.

“Pastrimi”, pati akuzuar Komunën e Prishtinës për vonesa të qëllimshme në pagesa dhe për trajtim të pabarabartë në krahasim me operatorët privatë. Sipas tyre, kompania publike është dëmtuar financiarisht me mbi 844 mijë euro vetëm gjatë gjashtë muajve të fundit.

Derisa sipas kontratës aktuale, që është e vlefshme deri në fund të vitit 2024, komuna duhet të paguajë 6.20 euro për njësi banimi për menaxhimin e mbeturinave, por aktualisht paguan vetëm 5.80 euro, duke ndalur 0.40 euro për investime kapitale që nuk janë realizuar. Për më tepër, që nga muaji prill 2024, faturat mujore prej 420 mijë eurosh janë paguar vetëm pjesërisht, me ndalesa që arrijnë deri në 50% të vlerës totale.

“Ne nuk kemi pranuar asnjë njoftim zyrtar nga komuna për arsyet e këtyre ndalesave. Në takime joformale na është thënë se këto mjete përdoren për të paguar një operator privat, por asnjë raport zyrtar nuk është dorëzuar për sasinë apo tonazhin e mbeturinave që ai menaxhon” , theksohej në deklaratën e Pastrimit.

Nga analizat e kompanisë, operatori privat paguhet rreth 79 euro për ton, ndërsa kompania publike merr vetëm 39 euro për të njëjtën sasi mbeturinash.

Një tjetër problem i ngritur nga “Pastrimi” është regjistrimi i 25 mijë njësive të reja banimi, të cilat nuk janë përfshirë ende në bazën e të dhënave të Komunës së Prishtinës për pagesa, pavarësisht se shërbimet për këto njësi janë ofruar rregullisht. Kjo ka shkaktuar një humbje shtesë prej 145 mijë euro në muaj për kompaninë publike.

Sipas kompanisë, këto politika të komunës po krijojnë një avantazh të padrejtë për operatorët privatë dhe po e çojnë “Pastrimin” drejt falimentimit. “Këto ndalesa dhe trajtimi preferencial i operatorëve privatë po rrezikojnë seriozisht funksionimin tonë dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët”, thuhet në deklaratë.

Komuna e Prishtinës ka shpallur një tender të ndarë në 6 lote për menaxhimin e mbeturinave, me një vlerë prej 16.5 milionë euro për tre vite. Sipas “Pastrimit”, specifikimet teknike të tenderit kufizojnë tregun dhe konkurrencën, duke përfshirë përcaktime të rrepta për llojin e kamionëve dhe ndalesa që secilin lot ta fitojë vetëm një operator.

“Ju njoftojmë që ne ende nuk kemi arritur të analizojmë të gjitha pikat e shpallura sipas specifikacioneve të cilat janë përcaktuar nga Komuna e Prishtinës, mirëpo në shikim të parë janë vërejtur qartë që ekzistojnë specifika teknike të cilat e kufizojnë tregun dhe konkurrueshmërinë si në aspektin e përcaktimeve të llojit të kamionëve, ashtu edhe në ndalesat që kanë bërë për secilin lot të fitojë vetëm një operator, kushte këto në një formë apo tjetrën neve si kompani publike na pamundësojnë të aplikojmë në këto lote”, kishin thënë nga kjo kompani.

Madje kryetari Rama e kishte cilësuar këtë si “sabotazh” duke thënë se kjo s’do të lejohet.

“Kanë dashtë për përfitime të tyne me lënë me gjithë bërllok gjithë kryeqytetin, por ne sot e kurrë s’do e lejojmë. Ne kemi me i mbrojtë të drejtat e juve si punëtorë, s’keni me qenë pa punë. Kontrata janë që kanë qenë të gatshme, e janë të gatshme sot. Kanë qenë në dhjetor, në shkurt e sot që me qenë pjesë kompania Pastrimi e proceseve, e mos me iu cenu as pagesat, as pagat e punëtorëve. Por ja që për çështje puro-politike e sabotojnë punën e me qit keq kryetarin e kryeqytetin”, kishte thënë Rama. /Lajmi.net/