Përmirësohet gjendja me zjarret, mbetet aktiv një zjarr në Prishtinë
Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka bërë të ditur se, gjatë 12 orëve të fundit, numri i zjarreve ka rënë ndjeshëm pas pasdites së djeshme, kur tha se “situata me zjarret ishte e rënduar”. Sipas Agjencisë, tani aktiv është vetëm një zjarr në fshatin Trudë në Komunën e Prishtinës. Kjo agjenci kishte bërë të ditur dje…

Lajme
Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka bërë të ditur se, gjatë 12 orëve të fundit, numri i zjarreve ka rënë ndjeshëm pas pasdites së djeshme, kur tha se “situata me zjarret ishte e rënduar”.
Sipas Agjencisë, tani aktiv është vetëm një zjarr në fshatin Trudë në Komunën e Prishtinës.
Kjo agjenci kishte bërë të ditur dje se, shkaku i temperaturave të larta dhe erërave të forta, në shumë zona të Kosovës ishin përhapur zjarre.
Një zjarrfikës ishte lënduar në Ferizaj gjatë intervenimit për shuarjen e zjarreve.
“Raporti i Qendrës Operative të Agjencisë tregon një rritje në numrin e vatrave të zjarrit, me gjithsej 101 raste të raportuara vetëm në gjashtë orët e fundit. Prej tyre, 48 janë ende aktive, ndërsa 53 janë lokalizuar”, thuhej në njoftimin e djeshëm të Agjencisë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se gjendja është e vështirë dhe kërkon veprim të shpejtë e të bashkërenduar nga të gjitha institucionet.
“Institucionet e Republikës së Kosovës janë të mobilizuara për të ofruar ndihmën e nevojshme. FSK-ja është në gjendje gatishmërie të plotë dhe e gatshme të ofrojë mbështetje të menjëhershme në rast se kërkohet nga autoritetet komunale apo ato qendrore për emergjencat civile”, tha Osmani.
Në fshatin Zasellë të Komunës së Mitrovicës, ka pasur edhe intervenim me helikopter nga KFOR-i.
Agjencia u bëri thirrje qytetarëve që të mos ndezin zjarre në ambiente të jashtme dhe të lajmërojnë zjarrvëniet në numrat emergjent 112, 193 dhe 192.
Më herët, kjo agjenci kishte thënë se shumica e zjarreve masive në Kosovë shkaktohen nga dora e njeriut.
Ende nuk dihet se sa dëme janë shkaktuar, por më parë gjatë këtij muaji janë publikuar shumë video në rrjete sociale që tregonin se si arat e mbjella me drithëra si grurë kapeshin nga zjarret.
Sipas Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), gjatë vitit 2024 në Kosovë ishin regjistruar 94 zjarre, të cilat kishin djegur gjithsej 12.079 hektarë pyje dhe shkurre. /REL