Përmbytjet në Spanjë, bllokohet edhe ekipi i Kosovës, kryetari i FASK jep detaje
Shiu i dendur dhe erëra të forta kanë goditur Spanjën jugore dhe lindore që nga fillimi i javës, duke shkaktuar përmbytje vdekjeprurëse në Valencia dhe në rajonin jugor të Andaluzisë. Në aeroportin e Valencias janë anuluar fluturimet pasi shirat e rrëmbyeshëm bllokuan edhe pistën. Në këtë aeroport që nga mbrëmë është bllokuar edhe ekipi që…
Lajme
Shiu i dendur dhe erëra të forta kanë goditur Spanjën jugore dhe lindore që nga fillimi i javës, duke shkaktuar përmbytje vdekjeprurëse në Valencia dhe në rajonin jugor të Andaluzisë.
Në aeroportin e Valencias janë anuluar fluturimet pasi shirat e rrëmbyeshëm bllokuan edhe pistën. Në këtë aeroport që nga mbrëmë është bllokuar edhe ekipi që e përfaqësoi Kosovën në garën në “Fia Motorsport Games” gjatë fundjavës, i përbërë nga 30 veta.
Kryetari i Federatës së Autosporteve të Kosovës (FASK), Ismet Rexhepi, ka thënë se kanë mbetur të bllokuar dhe pa informacione mbi atë se çfarë do të ndodh në vazhdim, madje nuk e dinë se as kur do të mund të nisen për në Kosovë.
“Për momentin vetëm pritje, aeroporti është i bllokuar, nuk kemi informata, nuk mund të sigurojmë as informacion por as ndonjë biletë për kthim, do të thotë nuk e dimë se çfarë po ndodh, nuk e dimë se kur do të kthehemi, presim nga agjencionet e ndryshme nëse na japin ndonjë informacion. Po presim informata edhe prej të tjerëve për rrugët nëse do të hapen apo jo për shkak se ne nuk po mund të lëvizim edhe në aeroportet tjera”, thotë Rexhepi.
Përkundër kësaj situate, Rexhepi ka thënë se ekipi nuk është në panik dhe se po e marrin me qetësi këtë situatë.
“Nuk ka vend për panikë te ne sepse jemi të rritur dhe jemi të vetëdijshëm për situata të tilla. Jo të kësaj natyre, por vërshime ka pasur edhe në Kosovë, ka pasur edhe në vende të tjera dhe për ne, përveç që ka lodhje, nuk ka tjetër problem…Askush nuk merret ne, askush nuk merret me askënd, në fakt ne kujdesemi për vete.. Aeroporti ka problemet e veta, të gjithë ata njerëz që kanë mbetur të bllokuar të shtrirë nëpër tokë kanë qenë gjithë natën dhe njëjtë është situata edhe tani”, ka bërë të ditur Rexhepi.
Ai ka theksuar gjithashtu se përveç nga drejtuesit e Federatës së Autosporteve, askush nga institucionet e Kosovës nuk i ka kontaktuar deri më tani.