Përleshje mes dy policëve brenda stacionit në Prishtinë, IPK rekomandon suspendimin e tyre
Një incident mes dy zyrtarëve policorë ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në Stacionin Policor “Jugu” në Prishtinë, ku pas një mosmarrëveshjeje ata dyshohet se janë përfshirë edhe në rrahje. Lidhur me rastin, IPK ka nisur hetimet dhe ka rekomanduar suspendimin e tyre. Në një përgjigje për lajmi.net, zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka, bëri të ditur…
Lajme
Një incident mes dy zyrtarëve policorë ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në Stacionin Policor “Jugu” në Prishtinë, ku pas një mosmarrëveshjeje ata dyshohet se janë përfshirë edhe në rrahje. Lidhur me rastin, IPK ka nisur hetimet dhe ka rekomanduar suspendimin e tyre.
Në një përgjigje për lajmi.net, zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka, bëri të ditur se nga veprimet fillestare hetimore ekziston dyshimi se dy policët, gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, janë përfshirë në një mosmarrëveshje me njëri-tjetrin dhe po hetohen për veprën penale “Sulm”.
“Duke ju referuar kërkesës suaj, Inspektorati Policor i Kosovës ju konfirmon se është njoftuar për këtë rast. Nga veprimet fillestare hetimore të ndërmarra nga Inspektorati Policor i Kosovës ekziston dyshimi se mbrëmë dy zyrtarë policorë gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare brenda objektit të Stacionit Policor Jugu janë përfshirë në një mosmarrëveshje me njëri-tjetrin dhe se të njëjtit janë të dyshuar për veprën penale ‘Sulm’”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të IPK-së.
Sipas IPK-së, hetuesit janë në koordinim të vazhdueshëm me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ndërsa rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.
Po ashtu, IPK ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë të përfshirë në rast, deri në përfundimin e procedurave hetimore.
“IPK ka rekomanduar Policinë e Kosovës për suspendimin e dy zyrtarëve policorë të përfshirë si të dyshuar në këtë rast”, thuhet më tej në konfirmimin e institucionit.
Inspektorati Policor i Kosovës ka theksuar se çdo veprim i zyrtarëve policorë që cenon integritetin policor apo ndikon negativisht në profesionalizmin e Policisë së Kosovës do të trajtohet me seriozitet të plotë. /Lajmi.net/