Përleshje me armë me të kërkuarin: Vritet me plumb në kokë komandanti i policisë

Komandanti i FNSH-së së Shkodrës Simon Gjeta është vrarë me armë zjarri gjatë aksionit për kapjen e një të kërkuari që plagosi me armë 21-vjeçarin Besar Sherbela në Oblikë të Shkodrës rreth orës 19:00 të së shtunës.

Lajme

03/10/2015 20:50

Autor i ngjarjes së rëndë është Ruzhdi Aishta, i cili shkëmbeu zjarr me policinë gjatë ndjekjes nga uniformat blu.

Gjatë përleshjes me armë, komandanti i FNSH Simon Gjeta u qëllua me plumb në kokë. Aktualisht autori po mbahet i rrethuar nga efektivët pranë banesës së tij dhe nuk pranon që të dorëzohet. Në Shkodër mbërritën edhe forcat speciale të RENEA-s si dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit Haki Çako, Ardian Çipa dhe Altin Qato.

Ora 19:00 Ruzhdi Aishta plagos me armë Besar Sherbelën

21-vjeçari Besar Sherbela u plagos me armë nga Ruzhdi Aishta pas një konflikti të çastit mes tyre. I riu u dërgua menjëherë në spital për të marrë ndihmën mjekësore, kurse autori u largua nga vendngjarja dhe u shpall në kërkim nga policia.

Ora 19:30 Autori shkëmben zjarr me policinë, plagoset efektivi i FNSH

Gjatë ndjekjes nga policia, autori Ruzhdi Aishta që plagosi me armë 21-vjeçarin, shkëmbeu zjarr edhe me policinë duke lënë të plagosur rëndë komandantin e FNSH së Shkodrës Simon Gjeta. Ai kishte marrë plagë në kokë dhe u dërgua në spital për të marrë ndihmën mjekësore.

Ora 19:45 Ndërron jetë në spital komandanti i FNSH Simon Gjeta

Komandanti i FNSH-së së Shkodrës Simona Gjeta ndërroi jetë në spital pas plagëve që kishte marrë me armë zjarri në kokë. Ai u vra gjatë aksionit për kapjen e të kërkuarit që plagosi me armë në kraharor Besar Sherbelën.

Ora 20:00 Autori Ruzhdi Aishta rrethohet nga policia

Autori i vrasjes së policit dhe plagosjes së bashkëfshatarit të tij është rrethuar nga policia shumë pranë banesës së tij. Në vendngjarje mbërritën forcat speciale të RENEA dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit Haki Çako, Ardian Çipa dhe Altin Qato. Mësohet se janë pozicionuar edhe disa snajpera. Burime bëjnë me dije se autori Ruzhdi Aishta është me probleme mendore.

Ora 20:15 Policia hyn në banesën e autorit Ruzhdi Aishta

Drejtuesit e policisë dhanë urdhër që forcat speciale RENEA të ndërhyjnë në banesën e autori Ruzhdi Aishta ku ai fshihet, raportojnë mediat në Shqipëri.