Të Infektuar: 17.591

Të Shëruar: 14.979

Të Vdekur: 659

Përleshje me armë e thika mes disa qytetarëve në Prevallë, arrestohen 4 persona

23:00 | 20 Shtator 2020

Ilustrim

Një përleshje fizike ka ndodhur sot rreth orës 13:30 në Prevallë, me ç’rast katër persona janë arrestuar ndërsa tre të tjerë kanë mbetur të lënduar.

Këtë e ka konfirmuar Shaban Osmanollaj, zëdhënës i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit.

Ai ka treguar se e gjithë ngjarja ka filluar për ndezjen e një zjarri përballë një restoranti në Prevallë.

“Policia ka pranuar një informacion se në Prevallë, përderisa disa qytetarë kanë ndezur një zjarr përball në restoranti dhe po bënin grill-piknik, pronari dhe familjarët e restorantit kanë dalë dhe i kanë kërkuar që të njëjtit të tërhiqen nga aty, dhe me këtë rast ka ardhur deri te konfrontimi fizik ndërmjet katër personave të dyshuar dhe tre viktimave.

Si pasojë e këtij konfrontimi kanë pësuar lëndime viktimat dhe të njëjtit janë trajtuar nga Emergjenca e Prizrenit”, ka thënë Osmanollaj për Reporteri.net.

Ndërkaq në veturën e personave të dyshuar, policia ka sekuestruar një armë zjarri, dy thika dhe një çelës gomash, i cili dyshohet se është përdorur gjatë përleshjes.

“Policia ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë e dyshuar për përdorimin e municionit me gaz Zoraki 917-T, me një kornizë dhe 4 fishekë municion gazi me mbishkrim 9 mm PAK-Pobjeda, 2 thika, një me një dorezë prej druri (kamë) ndërsa tjetra kishte një dorezë metalike si dhe një çelës ndryshues gomash që dyshohej se është përdorur në përleshje”, thotë Osmanollaj.

Ai thotë se policia ka informuar prokurorin kujdestar dhe njësiti i forenzikës kriminalistike ka dalë në vendin e ngjarjes për të bërë shikimin dhe përpilimin e raportit kriminalistike.

“Aktualisht kemi katër persona të dyshimtë në lidhje me këtë ngjarje. Rasti është duke u hetuar nga njësiti i hetimeve të Prizrenit”, thotë Osmanollaj.