Përleshja tragjike në Prizren, kryeprokurori konfirmon një të vdekur dhe një të lënduar rëndë

Një person ka humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur rëndë pas një përleshjeje që ndodhi të dielën në fshatin Kobaj të Prizrenit. Lidhur me rastin ka folur kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, i cili ka konfirmuar se një person ka vdekur si pasojë e lëndimeve të marra, ndërsa një tjetër po trajtohet…

Lajme

14/06/2026 14:09

Një person ka humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur rëndë pas një përleshjeje që ndodhi të dielën në fshatin Kobaj të Prizrenit.

Lidhur me rastin ka folur kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, i cili ka konfirmuar se një person ka vdekur si pasojë e lëndimeve të marra, ndërsa një tjetër po trajtohet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Ajo që mund të konfirmoj në këtë fazë është se një person ka humbur jetën, ndërsa një person tjetër ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po trajtohet në spital. Bazuar në dyshimet fillestare, viktima dyshohet se ka pësuar lëndime nga mjeti i mprehtë”, ka deklaruar Kryeziu.

Ai bëri të ditur se hetuesit policorë, ekspertët e forenzikës, prokurori i shtetit dhe ekipet e tjera relevante ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po kryejnë veprimet e nevojshme hetimore.

“Hetuesit policorë, ekspertët e forenzikës, prokurori i shtetit dhe ekipet e tjera relevante ndodhen në vendin e ngjarjes dhe janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore. Duke qenë se rasti ndodhet në fazën fillestare të hetimeve, në këtë moment nuk mund të japim informacione të tjera lidhur me rrethanat e ngjarjes”, ka shtuar ai.

Sipas informacioneve të deritanishme, ngjarja ka ndodhur pas një konflikti mes dy familjeve që janë kushërinj mes vete, ndërsa autoritetet po hetojnë rrethanat e plota të rastit.

Rastin për lajmi.net e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili bëri të ditur se ngjarja është raportuar rreth orës 11:50 në fshatin Kobaj. Sipas tij, në përleshjen mes dy familjeve, kushërinj mes vete, një 27-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e lëndimeve të marra nga një mjet i mprehtë, ndërsa është lënduar edhe babai i viktimës, rreth 57-vjeçar. /Lajmi.net/