Përleshja që përfundoi me plagosje në Ferizaj: Prokuroria kërkon paraburgim për katër të dyshuar, njëri dyshohet se goditi me kaçavidë në qafë

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër të pandehurve, të dyshuar për veprat penale “Vrasja në tentativë”, “Lëndimi i rëndë trupor” dhe “Pjesëmarrja në rrahje”. Sipas komunikatës së Prokurorisë, të pandehurit janë O.A., D.A., A.A. dhe A.N., ndërsa rasti ka ndodhur…

Lajme

12/08/2026 14:06

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër të pandehurve, të dyshuar për veprat penale “Vrasja në tentativë”, “Lëndimi i rëndë trupor” dhe “Pjesëmarrja në rrahje”.

Sipas komunikatës së Prokurorisë, të pandehurit janë O.A., D.A., A.A. dhe A.N., ndërsa rasti ka ndodhur më 10 gusht, rreth orës 00:15, në rrugën “12 Qershori” në Ferizaj, në afërsi të kafiterive “Dritare” dhe “0290”.

Prokuroria thotë se ndaj O.A. ekziston dyshimi i bazuar se, pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme mes pronarëve të kafiterive, ka ofenduar të dëmtuarin Sh.A., pas së cilës ka nisur përleshja.

Sipas Prokurorisë, O.A. dyshohet se e ka goditur Sh.A. tri herë në pjesën e qafës me një mjet të mprehtë – kaçavidë.

Si pasojë e lëndimeve, Sh.A. fillimisht ka kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe më pas është dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

O.A. dyshohet gjithashtu se gjatë të njëjtës përleshje ka goditur me kaçavidë edhe të dëmtuarin A.N., në krahun e majtë dhe në pjesën e majtë të kokës, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Ndërkaq, për D.A., A.A. dhe A.N., Prokuroria thotë se ekziston dyshimi i bazuar se kanë marrë pjesë në përleshje, e cila ka rezultuar me lëndim të rëndë trupor të Sh.A.

Sipas komunikatës, të katër të pandehurit ndodhen në ndalim prej 48 orësh që nga 11 gushti, me vendim të Prokurorit të Shtetit.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar tashmë nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre. /Lajmi.net/