Përleshja mes sunitëve dhe shiitëve: Ka filluar sërish Loja e Madhe
Një përpjekje për të shpjeguar Lindjen e Mesme. Teksa regjimet e vjetër po shemben, shiitët dhe sunitët po luftojnë për dominim. Loja e Madhe, me sa duket, sapo ka nisur – dhe vite të tërë kaosi dhe konfliktesh të dhunshme tashmë duken të pashmangshëm. “Në shekullin 20, secili shtet kishte vendin e tij në skenë”, tha një ekspert i rajonit që punon në Universitetin e Tel Avivit. “Tani i kemi hyrë një udhëtimi drejt një kapitulli të panjohur në Lindjen e Mesme”.
Bota
Përse Lindja e Mesme është e zhytur në trazirë?
Në më shumë se dhjetë shtete, tiranët që dikur sundonin përmes frikës dhe represionit janë rrëzuar, duke shkaktuar kështu rishfaqjen e rivaliteteve sektarë disashekullorë për pushtet. Lufta civile e tmerrshme në Siri po përhapet në Liban dhe po kërcënon Jordaninë dhe Turqinë, ndërkohë që Iraku praktikisht është ndarë në tre shtete – një shiit, një sunit dhe një kurd. Në mesin e këtij kaosi, një formë veçanërisht e ligë e Islamit radikal sunit, Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë, ka pushtuar pjesë të mëdha të territorit në Siri dhe në Irak. Tani Jemeni ka shpërthyer në një tjetër luftë civile, e cila ka tërhequr drejt vetes forca nga i gjithë rajoni. Secili konflikt ka shumë shkaqe lokalë – duke përfshirë rivalitetet fisnore komplekse dhe një luftë për naftën – por në themel të të gjithë këtyre është Loja e re e Madhe për dominim mes sunitëve dhe shiitëve. Shteti më i madh shiit, Irani, po e përhap ndikimin e tij duke financuar dhe armatosur militantët në të gjithë rajonin, ndërkohë që shteti më i madh sunit, Arabia Saudite, po i kundërvihet tashmë duke organizuar një forcë të përbashkët mbrojtjeje të shteteve arabe prej 40 mijë trupash elitë nga shtetet sunitë. “Që nga krijimi i Izraelit në vitin 1948, problemi arabo-izraelit ka qenë pothuajse sinonim me problemin e Lindjes së Mesme”, thotë politologu Michael Gunter. Por tani, “ndarja mes shiitëve dhe sunitëve është katalizatori kryesor që shtyn ngjarjet”.
Përse rivalitetet po ziejnë pikërisht tani?
Ky rivalitet ka nxitur konflikte dhe represion që nga fillimet e Islamit në shekullin 7, por në vitin 2003 ai u shndërrua në një zjarr të madh. Ishte viti kur SHBA rrëzoi regjimin e dominuar nga sunitët të Sadam Huseinit në Irak. Huseini kishte shtypur brutalisht për një kohë të gjatë shumicën shiite, dhe rënia e tij e ktheu përmbys këtë dinamikë të pushtetit. Qeveria e re e dominuar nga shiitët, me kryeministër Nuri al Malikin i margjinalizoi sunitët e Irakut, duke u mohuar atyre një zë real në qeverinë e re kombëtare. Sunitët u rebeluan dhe al Kaeda bashkë me grupe të tjerë ekstremistë sunitë u bashkuan në përpjekjen për të përçarë Irakun; në luftën e përgjakshme që pasoi, si sunitët, ashtu edhe shiitët kryen masakra të shumta që sollën vdekjen e mijëra vetëve dhe thelluan armiqësinë mes dy sekteve. Shiitët persë të Iranit e shfrytëzuan këtë shans për të bërë aleancë me shiitët në jug të Irakut dhe fituan influencë në rajon. Të gjithë këto ngjarje shërbyen si një leksion i fuqishëm për fqinjët arabë të Irakut?
Cfarë mësuan ata?
Ata panë se edhe diktatorët më të frikshëm mund të rrëzohen nga pushteti. Duke filluar nga viti 2010, kryengritjet e Pranverës Arabe rrëzuan diktatorët në Tunizi, Libi dhe Egjipt, dhe ndihmuan për të ndezur më shumë luftën në Siri. Fatkeqësisht, këto revolucione nuk sollën demokraci dhe liri, por kaos, represion si edhe rritje të ndikimit të Iranit.
Cila është axhenda e Iranit?
Që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979 që e transformoi Iranin në një teokraci shiite, ajatollahët janë përpjekur që të forcojnë pakicat shiite në botën arabe. Shiitët përbëjnë vetëm 15% të myslimanëve në mbarë botën, por ata janë shumicë në rajonet e pasur me naftë të Iranit dhe Irakut dhe kanë pakica të rëndësishme në Arabinë Saudite, Liban dhe Jemen. Irani është shndërruar në një partner de facto të qeverisë irakene me shumicë shiite, duke stërvitur 100 mijë luftëtarë shiitë që të mbrohen ndaj ISIS-it dhe kryengritësve sunitë. Irani po fut hundët edhe në Siri, duke ofruar mbështetje për regjimin e Bashar al Asadit, i cili është alavit, një nëndegë e sektit shiit. DHe tani Irani ka futur hundët edhe në oborrin e pasëm të Arabisë Saudite, në Jemen, duke ofruar financime dhe mbështetje për hutitët jemenas, të cilët janë Zaidë, një tjetër nëndegë shiite. Të alarmuar prej përparimit të Iranit, sauditët ndërhynë javën e kaluar në luftën civile në Jemen, duke bombarduar pozicionete hutitëve dhe grumbulluar 150 mijë trupa në kufi. “Ky është shembulli i parë ku sauditët kundërpërgjigjen fizikisht ndaj një kryengritjeje shiite, e si pasojë edhe kundër Iranit”, thotë John Jenkins, drejtor ekzekutiv i Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike – Lindja e Mesme.
Kë po mbështet SHBA?
Varet nga vendi. Arabia Saudite ka qenë një aleat i rëndësishëm i Amerikës prej një kohe të gjatë, dhe në Siri, SHBA dhe sauditët janë në të njëjtën anë, duke ofruar ndihmë për sunitët që rebelohen kundër Asadit. Por në Irak, SHBA e gjen veten aleate të heshtur të Iranit, pasi të dy mbështesin regjimin iraken në luftën kundër ISIS. Sauditët dhe sunitë të tjerë janë thellësisht të shqetësuar prej afrimit të administratës Obama me Iranin, sidomos nëse marrëveshja bërthamore do të sillte një heqje të sanksioneve. “Shumë vende të Gjirit ndihen se po lihen pas dore”, thotë Mishaal A Gergavi, një komentator në Emiratet e Bashkuara Arabe. Mbreti saudit Salman u takua kohët e fundit me presidentët e Egjiptit dhe Turqisë, dy shtetet sunitë më të fortë ushtarakisht, për të diskutuar bashkimin kundër rrezikut iranian. Loja e Madhe, me sa duket, sapo ka nisur – dhe vite të tërë kaosi dhe konfliktesh të dhunshëm tashmë duken të pashmangshëm. “Në shekullin 20, secili shtet kishte vendin e tij në skenë”, tha një ekspert i rajonit që punon në Universitetin e Tel Avivit. “Tani i kemi hyrë një udhëtimi drejt një kapitulli të panjohur në Lindjen e Mesme”. (THE WEEK – përshtatur nga bota.al)