Përkujtohet Mark Malota në Gjakovë në 27-vjetorin e rënies së tij

Në 27-vjetorin e rënies, në Zhdrellë të Gjakovës është përkujtuar heroi i Kosovës, Mark Malota. Marku ishte ndër intelektualët e rrallë i cili në ditët më të vështira për shqiptarët e Kosovës, veçmas gjatë viteve 1998–1999, qëndroi, mbrojti dhe avancoi me guxim të lartë idealin e lirisë. Shefqet Shehu, kryesues i Asamblesë Komunale në Gjakovë,…

Lajme

26/03/2026 14:59

Në 27-vjetorin e rënies, në Zhdrellë të Gjakovës është përkujtuar heroi i Kosovës, Mark Malota.

Marku ishte ndër intelektualët e rrallë i cili në ditët më të vështira për shqiptarët e Kosovës, veçmas gjatë viteve 1998–1999, qëndroi, mbrojti dhe avancoi me guxim të lartë idealin e lirisë.

Shefqet Shehu, kryesues i Asamblesë Komunale në Gjakovë, tha se si i tillë, Marku me vetëmohim të lartë u bë shembulli i një atdhetari dhe patrioti të madh, i cili u shndërrua në një vlerë qendrore kombëtare.

“Më lejoni që në emër të Asamblesë Komunale të shpreh vlerësimin tim me përulësi për figurën e të madhit Mark Malota, vlera e të cilit e tejkaloi këtë rajon, e tejkaloi komunën e Gjakovës, Republikën e Kosovës dhe u shndërrua në një vlerë qendrore kombëtare”, tha Shehu.

Muharrem Musa, bashkëvendas dhe bashkëluftëtar i Markut, tha se është nder ta kujtosh sakrificën e heroizmin e tij.

“Marku nuk ishte vetëm i këtij vendi, këtij lokaliteti, por ishte në përgjegjësi të punës; ra heroikisht duke i mbrojtur vlerat kombëtare. Realisht, Marku kishte vendosur që të mos e lëshojë këtë vend dhe të mbrojë zërin e qytetarëve të këtij vendi dhe të gjithë Kosovës”, tha Musa.

Ndërkaq, Arbër Malota, djali i heroit Malota, u shpreh se ky përkujtim është dëshmi se sa e shtrenjtë është liria.

“Kur jemi në situatën aktuale, e kuptojmë se sa shumë i mungojnë këtij vendi njerëz të tillë, që nuk patën asgjë më të shenjtë për të dhënë se sa jetën e tyre, që aq shumë e deshën vendin dhe aq shumë duhet ta duam edhe ne në ditët e sotme, që ideali i të rënëve të shkojë në vend”, deklaroi ai.

Pas arrestimit nga ish-regjimi serb në zyrat e LDK-së në Gjakovë dhe torturave mizore në organet e ish-sigurimit policor për disa ditë me radhë, më 26 mars të vitit 1999, Marku ra në altarin e lirisë, duke mos u zmbrapsur as me çmimin e jetës nga rruga e lirisë.

Asokohe, profesor Mark Malota ishte udhëheqës i LDK-së në Gjakovë dhe njëri ndër bashkëpunëtorët më besnikë të ish-presidentit Rugova.