Përkrah iniciativat qytetare

Jakup Krasniqi do ndryshime në skenën politike. Për këtë arsye, del në përkrahje të Iniciativave Qytetare. Thotë se mbështet të gjitha iniciativat qytetare të cilat kanë për qëllim përmirësimin e qeverisjes, qoftë në nivelin lokal apo qendror.

Lajme

05/09/2013 12:52

Po i pëlqejnë Iniciativat Qytetare, të cilat do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. Thotë se ato janë shprehje e vullnetit të  njerëzve për të bërë ndryshime. Për më shumë, ndryshimet po i kërkon edhe vetë Jakup Krasniqi, dikur një ndër njerëzit më me ndikim në Partinë Demokratike të Kosovës, përball së cilës do të konkurrojnë Iniciativat Qytetare në Malishevë, Drenas e Prizren.

“Pa marrë parasysh se a kam ndonjë lidhje apo nuk kam, unë i mbështes të gjitha iniciativat qytetare të cilat kanë për qëllim përmirësimin e qeverisjes, qoftë në nivelin lokal apo qendror”.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Kryeparlamentari Krasniqi ka shprehur kritika edhe ndaj Ligjit për Amnestinë, të miratuar kohë më parë në Kuvendin e Kosovës.

Ai tha se ky ligj duhet të vijë në Zyrën ligjore të Kuvendit, në mënyrë që administrata e Kuvendit ta pastrojë nga ato nene dhe t’i shkojë presidentes për nënshkrim.

Krasniqi, ndërkaq, nuk ka dashur të komentojë pjesëmarrjen e përbashkët të serbëve në zgjedhje, me listën me emrin “Srbija”. Për këtë, ai ka sugjeruar gazetarët që të pyesin ata që kanë marrë pjesë në bisedimet e mbajtura në Bruksel.