Përgjysmohet TVSH-ja për produktet bazë dhe shërbimet publike

Qytetarët e Kosovës nga korriku i këtij viti ose janari i vitit 2016 do të paguajnë më lirë për produktet bazë, që përbëjnë shportën e konsumatorit, ilaçet dhe shërbimet publike, por shkalla e TVSH-së për të gjitha produktet tjera shkon nga 16 në 18 për qind.

Lajme

17/03/2015 22:27

Ministria e Financave ka nisur ndryshimin e ligjit “për Tatimin e Vlerës së Shtuar”, duke reduktuar TVSH-në nga 16, sa është aktualisht në disa produkte, në 8 për qind, dhe duke e rritur në 18 për qind për disa të tjera.

Lista e produkteve të do të kenë TVSH-në 8 për qind, e për të cilat pritet ulja e çmimit me të hyrë ligji në fuqi, janë shërbimet publike si energjia, uji, mbeturinat, ngrohja, si dhe produktet bazë të shportës së konsumatorit: buka, vaji, kripa, sheqeri, qumështi, orizi, vezët, barnat, produktet farmaceutike dhe pajisjet mjekësore.

“Çdo gjë që blejnë sot, konsumatorët paguajnë 16 për qind TVSH. Presim që kjo të reflektohet drejtpërdrejt në faturën e ujit, ngrohjes dhe energjisë, për konsumatorët, menjëherë sapo të hyjë në fuqi ligji. Ata do të marrin faturën 8 për qind më të ulët sesa e kanë marrë deri më tani, por pres që edhe për ushqimet elementare të ndodhë një gjë e tillë. Çdo gjë që paguan konsumatori 16 për qind më shtrenjtë është vetëm prej TVSH-së. Nëse biznesi detyrohet që shtetit t’i paguajë vetëm gjysmën e saj, pra 8 për qind, atëherë detyrimisht që do të ulen çmimet”, tha për Top Channel Avdullah Hoti, ministër i Financave.

Qeveria e Kosovës ka parashikuar rritje të normës së TVSH-së për të gjitha produktet e tjera, nga 16 në 18 për qind. Në listën e produkteve me normë të ndryshuar janë edhe mediet elektronike dhe gazetat. Aktualisht mediet nuk paguajnë TVSH për letrën, pajisjet e tjera dhe faturat që lëshojnë. Me propozimin e ri, TVSH-ja shkon në 8 për qind.

Ndryshimet fiskale në përgjithësi janë mirëpritur nga njohësit e ekonomisë. Por, drejtori i institutit “Riinvest”, Lumir Abdixhiku vlerësoi se këto ndryshime janë pozitive për shtresën e varfër të shoqërisë, por kanë efekt negativ te shtresat e mesme, pasi shumica e produkteve që nuk u takojnë atyre bazë do të shtrenjtohen për 13 për qind (në bazë të shkallës së rritjes së TVSH-së për 2 për qind).

“Është 13 për qind rritje për të gjitha produktet, përveç produkteve bazike. Ndaj konsideroj se është vlerë e lartë dhe shtresa e mesme do të goditet më së shumti nga kjo, siç do të përfitojë shtresa e ulët nga ulja e TVSH-së. Pra, për një shtresë të mesme do të ketë një balancë në fund të fundit, sepse edhe shtresa e mesme konsumon produktet bazike, shërbime publike, etj. Por është e panevojshme rritja e mëtejshme e TVSH-së, konsideroj se do të ishte më mirë të rritej baza tatimore, sesa vlera e tatimit, të luftohet informaliteti dhe të mbushet buxheti prej luftimit të aktiviteteve ilegale, e jo të rritet TVSH-ja për një pjesë të madhe të produkteve”, tha Abdixhiku, drejtor ekzekutiv i “Riinvest”.

“Deri më sot, kur një investitor i huaj ka ardhur në Kosovë, për biznes ka paguar 16 për qind në kufi. Ne po planifikojmë ta heqim atë, që të bëhen më të lira investimet e huaja”, tha Hoti.

Ligji me ndryshime për TVSH-në pritet të shkojë shumë shpejt në Kuvend për miratim. Varësisht nga dinamika e punës, janë dy afate se kur mund të hyjë ai në fuqi: muaji korrik i këtij i viti, ose janari i vitit 2016, raporton Top Channel.