Përgjegjësia për fatin e Kosovës

Të qenit të përgjegjshëm në Kosovë, sot nënkupton të marrim vesh që pozita ndërkombëtare e shtetit tonë nuk është as përafërsisht ajo që ka qenë vetëm dy vite më parë, e lëre me në vitin 2008, pas shpalljes së pavarësisë.

Opinion

09/07/2015 11:31

Në gjithë Evropën e sotme, nëse flitet për liderët e shteteve të Bashkimit Evropian, por edhe me ata që janë në ballë të BE-së, është një i vetmi politikan të cilit nuk i hiqet buzëqeshja prej goje, teksa të gjithë të tjerët janë të mërrolur, të mërzitur, të lodhur dhe me buzë të varura.

Alexis Tsipras, Kryeministri i Greqisë nuk heq dorë prej buzëqeshjes së tij, të cilën, tok me faktin që nuk ka kollare, apo që ka veshje të rëndomtë, e ka trade mark të vetin.

Teksa shteti i tij është një hap larg falimentimit, teksa në Greqi shihen pamje tronditëse të qytetarëve të rëndomtë të cilët presin në radhë të gjata për të marrë nga 60 Euro prej bankomatëve, (sepse bankat janë të mbyllura tash e sa ditë), Tsipras nuk ndalet me buzëqeshjen e tij.

Gjendja në Greqi dhe si po shihet, edhe në Bashkimin Evropian, çfarë është ky i sotmi (sepse pakush e di çka do të bëhet me BE-në në vitet e ardhshme), është aq e rëndë, saqë buzëqeshja e Tsipras, nuk është gjë tjetër pos hipokrizi, demagogji, mashtrim, madje edhe turp.

Mbase, ajo është mënyra më e dukshme, për të shfaqë refuzimin për të qenë një burrshtetas i përgjegjshëm.

Zatën, i tëri ky rrëfimi për Greqinë, për BE-në, për shtetet e tjera të Ballkanit që pretendojnë të hyjnë në BE, mund të reduktohet a të thjeshtësohet pikërisht me nocionin: përgjegjësi.

Në demokraci, askush nuk mund të shfajësohet a të amnestohet nga përgjegjësia: Duke nisë prej qytetarëve të thjeshtë, për të mbërri tek ata që i prijnë një shteti demokratik. Natyrisht, shkalla e saj nuk është e njejtë. Ata që janë në ballë, janë të detyruar, me fuqinë e legjimitetit dhe me obligimin e legalitetit, të jenë më të përgjegjshmit, sepse kanë në duartë e tyre një shtet dhe një shoqëri.

Politikanët që pretendojnë të janë edhe burrshtetas, arrijnë tek konkludimi për vendimet që duhet marrë, domosdoshmërisht, dhe tek ato përfundimet e tjera, që i dedikohen refuzimit për të vepruar, sepse ai veprim, është i dëmshëm për interesat e shtetit.

Llogaritë që bëhet në këtë rast, nëse njëmend mbizotëron interesi nacional, janë të qarta dhe të pastëra. Nëse kalkulimet marrin në konsideratë vetëm fatin e politikanit në zgjedhjet e ardhshme, apo, pozitën e tij në matjet e menjëhershme të pulsit të opinionit, atëherë, vështirë që mund të ketë një vendim të duhur, në mbrojtje të interesave jetik të shtetit, e lëre me një vizion të qartë se kah duhet të ecën një shtet dhe një shoqëri.

Gjëra të njohura janë këto. Të gjitha. Ky mund të jetë reagimi i akëcilit prej nesh.

Por shëndeti politik i një shoqërie, ecja para e një shteti, mbërritje tek synimet të cilat tashmë kanë një mbështetje të qytetarëve, varen në masë të madhe prej gatishmërisë, prej vullnetit dhe prej kapacitetit të politikanëve kryesorë, për tu ngritë sa më shumë që është e mundur në atë nivelin e të qenit politikan i përgjegjshëm dhe burrshtetas.

Për shembull, është e pashpjegueshme, për të mos përdorë këtu edhe fjalë të tjera, që nëse të gjithë ne synojmë të dëshmohemi si pro-amerikanë, sepse ky orientim është poashtu në mesin a atyre elementeve që bën interesin jetik e shtetit të Kosovës, të mos jemi në gjendje të kuptojmë pse po ndodhë rrëfimi i Gjykatës Speciale, dhe pse SHBA-ja insiston që ne vetë ta bëjmë këtë Gjykatë?

Apo, po të njejtit, dështojmë që në mënyrë të duhur, ashtu siç kemi bërë në 15 vitet e shkuara, të organizojmë një koncert falënderimi për SHBA-në, apo edhe ta stolisim Prishtinën me flamujtë amerikanë me 4 korrik?

Të qenit të përgjegjshëm, poashtu nënkupton të marrësh vesh mirë, dhe ta marrësh parasyshë këtë dijeni në vendimmarrjet kyç, çfarë është disponimi i qytetarëve, si është gjendja në rajonin ku është Kosova, çka po ndodhë në Evropë dhe në Botë.

Ne jetojmë të izoluar në mes të Evropës, gjithqysh, jo vetëm për shkak të problemit të njohur me mungesën e të drejtës për të udhëtuar pa viza në shtetet e BE-së, por edhe sepse nuk përcjellim fare se çka po bëhet dhe çka po ndodhë në Evropë në vitet e fundi.

Të qenit të përgjegjshëm në Kosovë, sot gjithsesi nënkupton të marrim vesh që pozita ndërkombëtare e shtetit tonë nuk është as përafërisht ajo që ka qenë vetëm dy vite më parë, e lëre me në vitin 2008, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë.

Dhe kështu me radhë.

(Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)