Përgjegjaj u arrestua për sulm seksual ndaj një të mituri, flet sekretarja e “Lëvizjes së Deçanit”: Kemi 47 mijë anëtarë, s’mbajmë ne përgjegjësi
Një rast i ngacmimit seksual ndaj një të mituri ka ndodhur në Deçan pasditen e së premtes. Rasti u konfirmua nga Policia e Kosovës, teksa raportohet se i dyshuari është Ragip Përgjegjaj 56 vjeç. Ragip Përgjegjaj ndryshe në publik njihet edhe si një nga themeluesit e Lëvizjes së Deçanit, lëvizje kjo e cila gjatë vitit…
Lajme
Një rast i ngacmimit seksual ndaj një të mituri ka ndodhur në Deçan pasditen e së premtes.
Rasti u konfirmua nga Policia e Kosovës, teksa raportohet se i dyshuari është Ragip Përgjegjaj 56 vjeç.
Ragip Përgjegjaj ndryshe në publik njihet edhe si një nga themeluesit e Lëvizjes së Deçanit, lëvizje kjo e cila gjatë vitit 2024 bëri bujë të madhe në publik me thirrjet për konvertim nga feja islame në atë katolike.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që kishte sulmuar seksualisht viktimën mashkull kosovar (i mitur)”, tha policia në raportin 24-orësh të publikuar të shtunën.
Jo vetëm kaq, në lidhje me këtë rast një deklarim pati edhe nga Prokuroria Themelore në Pejë.
Se është arrestuar dhe dërguar në paraburgim për 30 ditë për lajmi.net e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi duke mos përmendur emrin e të dyshuarit.
“Gjatë ditës se djeshme, është mbajtur seanca dëgjimore, ku prokurori i shtetit ka dhënë arsyet pse duhet aprovuar nga gjykata kërkesa për paraburgim të pandehurit. Njëkohësisht ju njoftojmë që gjykata përkatëse ka aprovuar kërkesën e prokurori të shtetit, duke ja caktuar 30 ditë paraburgim të pandehurit”, tha Nikçi për lajmi.net.
Në lidhje me këtë rast mjaft të ndjeshëm, lajmi.net ka kontaktuar me zyrën qendrore të Lëvizjes së Deçanit nga e cila u mohua se personi është anëtar i kësaj lëvizje.
“Ne nuk jemi të njoftuar për këtë pjesë. Shih, përkrahës të Lëvizjes së Deçanit mund të jenë mbarë Kosova, por nuk do të thotë që tash Lëvizja e Deçanit e ka këtë përgjegjësi sepse këtë përgjegjësi e ka shteti, për çdo njeri që bën diçka jashtë ligjeve të shtetit”, thotë fillimisht sekretarja e zyrës qendrore të Lëvizjes së Deçanit.
E pyetur se nëse ai është anëtar i kësaj iniciative ajo përgjigjet shkurtimisht.
“Jo, nuk e di. Kam rreth 47 mijë anëtarë të regjistruar, nuk e di. Nuk kemi asnjë njohuri rreth këtij rasti”, shtoi ajo.
Pas deklaratës, e njëjta zyrtare telefonoi prapë duke mohuar se Ragip Përgjegjaj është anëtar i kësaj iniciative.
“Personi në fjalë nuk është anëtar në listën e regjistrimeve të Lëvizjes së Deçanit”, përfundoi sekretarja e zyrës qendrore të Lëvizjes së Deçanit.
Lëvizja e Deçanit është iniciativë që bën thirrje për braktisjen e fesë islame. Dalja e parë në publik e Lëvizjes së Deçanit ishte në tetor të vitit 2023.
Përgjegjaj ishte një nga pjesëmarrësit e mbledhjes së parë themeluese të Lëvizjes për Braktisjen Vullnetare të Fesë Islame, të njohur ndryshe si Lëvizja e Deçanit, më 20 tetor të vitit 2023.
Dalja në publik e Lëvizjes së Deçanit në tetorin e 2023-s ngjalli sërë reagimesh për motivet e saj. Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, u distancua nga organizimi dhe thirrjet e kësaj lëvizje.
Lidhja e Historianëve “Ali Hadri”, me bazë në Deçan, po ashtu dënoi formimin e Lëvizjes së Deçanit dhe tha se një iniciativë e tillë përbën thirrje për nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit.
Kjo “organizatë” ngjalli reagime të shumta në publik, e që shumica prej tyre ishin kundër qëndrimeve dhe thirrjeve që bënin ata si lëvizje./Lajmi.net/