Përfundon Testi i Arritshmërisë për klasat e nënta
Sot në Kosovë është mbajtur Testi i Arritshmërisë për klasat e nënta, i organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT).

Lajme
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka vizituar nxënësit gjatë mbajtjes së Testit të Arritshmërisë, të cilët po testoheshin në shkollën “Eqrem Çabej” në Vushtrri.
Testit të Aritshmërisë, këtë vit i janë nënshtruar rreth 35 mijë nxënës të klasave të nënta në 102 qendra në gjithë Kosovën. Sipas raporteve nga terreni, procesi i testimit ka filluar me kohë në të gjitha qendrat dhe nuk është paraqitur ndonjë pengesë.
“Ky është një moment i rëndësishëm për ju, sepse do të vlerësoheni se ku jeni me arritshmërinë tuaj, pas përfundimit të klasës së nëntë. Ne jemi të sigurt se ju do të tregoheni të suksesshëm, por ju tani do të merrni një vendim për orientimin juaj drejt shkollës së ardhshme”, ka thënë Bajrami përcjellë komunikata.
Ministri Bajrami iu rikujtoi nxënësve se kanë mundësi të zgjedhin një shkollë të mirë profesionale, një gjimnaz apo shkollë të përgjithshme, duke thënë se po punohet që nxënësve tu ofrohet një arsim cilësor.
“Po kujdesemi që ju të keni një arsim cilësor, një shkollë cilësore, po kujdesemi që t’ju sigurojmë edhe një treg të punës, në mënyrë që ju, me të përfunduar arsimin parauniversitar, ose të gjeni menjëherë një vend pune, ose të orientoheni drejt arsimit të lartë”, tha ministri Bajrami.
Testi i Arritshmërisë në Prishtinë u tha ka shkuar siç duhet dhe në masa të rrepta të monitorimit.
Drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Arbërie Nagavci ka vizituar disa prej shkollave në të cilat është mbajtur testi i arritshmërisë. Nga kjo drejtori konfirmohet se në të gjitha shkollat procesi ka qenë i rregullt dhe është realizuar sipas planifikimeve të Drejtorisë Komunale të Arsimit.
“Gjatë vizitës, edhe mësimdhënësit u shprehën të kënaqur për krijimin e kushteve për punë. Është hera e parë që testi i arritshmërisë organizohet në këto kushte kur një nxënës është i ulur në një bankë. Paraprakisht që të gjithë nxënësit i kanë dorëzuar çantat dhe telefonat celularë, ndërsa qetësia ka qenë maksimale. Testi i arritshmërisë ka filluar me kohë në të gjitha qendrat, ndërsa gjithë administruesit kanë qenë në vendin e tyre në kohën e paraparë. Në rastet kur ka pasur vonesa, menjëherë është bërë zëvendësimi i administruesve”, tha Nagavci, thuhet në një komunikatë të komunës së Prishtinës.