Përfundon takimi në Presidencë, askush nuk deklarohet për media

Pas më shumë se një orë e gjysmë, ka përfunduar takimi i krerëve të koalicionit me presidentin Hashim Thaçi.

Lajme

31/01/2019 18:42

Ka përfunduar takimi në mes kryeministrit Ramush Haradinaj, Kadri Veselit, Fatmir Limajt, Behgjet Pacollit dhe Shpend Ahmetit me presidentin Hashim Thaçi.

Burime të lajmi.net bëjnë me dije se temë e këtij  takimi ishte dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në takim ishte edhe ambasadori francez, Didier Chabert, i cili ishte i pari që ka dal nga takimi.

Ndërsa, Haradinaj, Pacolli, Ahmeti dhe Limaj kanë dalë nga ky takim ku më pas kanë vazhduar për në ndërtesën e Qeverisë, raporton lajmi.net.

Kujtojmë se një takim i ngjashëm ishte mbajtur edhe mbrëmë në ndërtesën e Qeverisë.

Pra të gjithë krerët e koalicionit qeverisës ishin takuar në Qeveri me ftesë të kryeministrit Ramush Haradinaj.

Ndërkaq edhe gjatë ditës së sotme ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë, Philip Kosnett ishte takuar me presidentin Hashim Thaçi, kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe kryeministrin Ramush Haradinaj.

Sikurse pas takimit të djeshëm në Qeveri ashtu edhe sot pas takimit në Presidencë askush nga të pranishmit në këtë takim nuk është deklaruar për media. /Lajmi.net/