Përfundon takimi më shumë se katër orë mes Putinit dhe të dërguarit të Trumpit

Një takim mes presidentit rus Vladimir Putin dhe të dërguarit special të SHBA-së, Steve Witkoff, kushtuar zgjidhjes së konfliktit në Ukrainë përfundoi pas më shumë se katër orësh. Kremlini postoi një foto në faqen e tij të internetit ku shiheshin dy zyrtarët duke shtrënguar duart, duke vënë në dukje se takimi kishte ndodhur. Agjencitë ruse…

Bota

12/04/2025 08:47

Një takim mes presidentit rus Vladimir Putin dhe të dërguarit special të SHBA-së, Steve Witkoff, kushtuar zgjidhjes së konfliktit në Ukrainë përfundoi pas më shumë se katër orësh.

Kremlini postoi një foto në faqen e tij të internetit ku shiheshin dy zyrtarët duke shtrënguar duart, duke vënë në dukje se takimi kishte ndodhur.

Agjencitë ruse të lajmeve raportuan se takimi zgjati më shumë se katër orë.

Interfax raportoi se Witkoff, i dërguari special i presidentit Donald Trump për Lindjen e Mesme, i cili është angazhuar gjithnjë e më shumë me Rusinë, u largua nga vendi i takimit – biblioteka presidenciale në Shën Petersburg, qyteti i dytë më i madh i Rusisë.

Tass raportoi se i dërguari i Putinit për investime, Kiril Dmitriev ishte kthyer në një hotel në qytet, shkruan Radio Evropa e Lirë.

I dërguari amerikan, Witkoff ndaloi në Rusi më 11 prill, teksa ishte rrugës për në Oman, ku më 12 prill do të mbahen bisedime me Iranin lidhur me programin bërthamor të Teheranit.

Lajmi për takimin Witkoff-Putin u bë publik në kohën kur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, shkroi në X se ka kaluar një muaj që kur Rusia ka refuzuar propozimin amerikan për një “armëpushim të plotë dhe pa kushte”.

Disa orë pasi Witkoff arriti në Rusi, Trump po ashtu shkroi në rrjete sociale se Rusia duhet të veprojë në ndaljen e luftës në Ukrainë, duke thënë se “shumë njerëz po vdesin”.

Ndryshe, vizita e Witkoff u zhvillua në mes të një stuhie diplomatike rreth luftës në Ukrainë, përfshirë bisedimet SHBA-Ukrainë në Uashington dhe një takimi të kryesuar nga Britania dhe Gjermania në Bruksel.

Agjencia shtetërore ruse Tass raportoi se Witkoff me të mbërritur në Rusi u takua me Kirill Dmitriev, një figurë me lidhje të forta me Kremlinin dhe drejtues i Fondit Rus për Investime Direkte.

Raportohet se javën e kaluar, të dy zyrtarët u takuan në Uashington, ku diskutuan forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Vizita e Witkoff në Rusi u zhvillua një ditë pasi zyrtarë amerikanë dhe rusë u takuan në Stamboll për të diskutuar për normalizimin e marrëdhënieve diplomatike, gjë që mund të çojë në rikthimin e stafit të ambasadave, të cilët u dëbuan që kur nisi pushimi rus i Ukrainës më 2022.

Kjo ishte vizita e tretë e Witkoff në Rusi që kur Trump mori detyrën në janar.

Muajin e kaluar, takimi i tij me Putinin i hapi rrugë një telefonate mes dy presidentëve. Ai gjithashtu vizitoi Rusinë në shkurt dhe ishte pjesë e bisedimeve SHBA-Rusi në Riad.