Përfundon seanca, zëvendësi i Kuchnerit e vazhdon nesër dëshminë në mbrojtje të Thaçit

Jock Covey, i cili ka shërbyer si zëvendës i përfaqësuesit special të sekretarit të OKB-së, Bernard Kushner, ka dëshmuar sot në Hagë, i thirrur nga mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi. Pyetjet e avokatit të Thaçit kanë përfunduar pas pushimit të drekës, ndërkaq Covey do të kthehet nesër në gjykatoren e Dhomave të Specializuara për t’u…

Lajme

30/09/2025 16:03

Jock Covey, i cili ka shërbyer si zëvendës i përfaqësuesit special të sekretarit të OKB-së, Bernard Kushner, ka dëshmuar sot në Hagë, i thirrur nga mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi. Pyetjet e avokatit të Thaçit kanë përfunduar pas pushimit të drekës, ndërkaq Covey do të kthehet nesër në gjykatoren e Dhomave të Specializuara për t’u përgjigjur në pyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Dëshmia e tij ka të ngjarë të përfundojë nesër, më 1 tetor, sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith.

Çka tha zëvendësi i Kushnerit në ditën e parë të dëshmisë?

Në ditën e parë të dëshmisë së tij në gjyqin e madh ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, dëshmitari i katërt i mbrojtjes tha se Thaçi kishte “marrëdhënie të ndërlikuara” me komandantët në terren.

“Kishte shumë pak gjasa që ata të kërkonin udhëzimet e tij [Thaçit], aq më pak urdhrat e tij, apo që të raportonin aktivitetet e tij te ai”, tha Covey.

Gjatë dëshmisë së tij ai tha se “UÇK-ja ishte më shumë një lëvizje sesa ushtri”.

“Secili individ në zona, apo komandant në terren kishte autonomi të gjerë, qoftë kjo në realitet apo imagjinatën e tyre, por ata kishin këtë autonomi, ata mendonin që mund të bënin atë që vendosnin të bënin në zonën e tyre, që ishin të pavarur”, tha ai.

Në gjykatoren e Speciales, ai foli për takimet në të cilat kishte marrë pjesë si zëvendës i Bernard Kushnerit. Ai tha se asnjëherë nuk e kishte parë Thaçin të jepte urdhra.

Ndër të tjera, Covey, derisa foli për pjesën e dytë të vitit 1999, tha se Thaçi bënte thirrje për të shmangur dhunën ndaj pakicave.

“Në fakt më impresionon fakti që atë që ka thënë zotëri Thaçi vinte nga koha e mëparshme. Kështu që ne nuk mund të themi që është roli ynë që i ka thënë këto gjëra, është një proces i cili në fakt kishte filluar përpara mbërritjes sonë”, tha dëshmitari derisa avokati e pyeti për deklaratën e Thaçit për të shmangur sulmet ndaj pakicave.

Gjithashtu, ai përmendi romët, për të cilët tha se serbët i përdornin si vegla.

“Mund të shihni edhe përtej në Evropë dhe do vini re që ekzistonin arsye nga më të ndryshmet në nivelin lokal për sa i takon mospëlqimit të romëve. Megjithatë, me sa më kujtohet mua, serbët ishin të lumtur që t’i përdornin si vegla romët kurdo që kishin mundësi”, tha dëshmitari.

Pas përfundimit të pyetjeve të mbrojtjes së Thaçit, ekipet tjera deklaruan se nuk kanë pyetje dhe kryetari i trupit gjykues bëri të ditur se pyetjet e Prokurorisë do të nisin nesër.

Dëshmia e tij vjen pasi në gjykatore u dëgjuan dëshmia e ish-sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, ajo e ish-këshilltarit ligjor të ekipit të Kosovës në Rambuje, si dhe dëshmia e ish-diplomatit britanik John Stewart Duncan.

Paraqitja e provave të mbrojtjes nisi më 15 shtator. Mbrojtja e Thaçit ka planifikuar t’i sjell 11 dëshmitarë në tërësi, pas së cilëve pritet të dëshmojnë dy të tjerë të thirrur nga mbrojtja e Jakup Krasniqit.

Paraqitja e provave të mbrojtjes pritet të përfundojë deri në mesin e nëntorit, ndërkaq, turpi gjykues pret që ekipet mbrojtëse të dorëzojnë shkresat përfundimtare deri më 22 dhjetor të këtij viti.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi akuzohen për krime të pretenduara të luftës. Ata ndodhen në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020.