Përfundon protesta në Tiranë në mbështetje ndaj ish-krerëve të UÇK-së: “Nuk kërkojmë mëshirë, por drejtësi”

Ka përfunduar protesta e mbajtur sot në Tiranë, e cila u organizua në mbështetje të ish-krerëve dhe ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë. Në kryeqytetin shqiptar u mblodhën mijëra qytetarë nga të gjitha trevat shqiptare, si dhe figura publike e politike, për të kërkuar drejtësi dhe për të kundërshtuar, siç…

Lajme

17/10/2025 18:18

Ka përfunduar protesta e mbajtur sot në Tiranë, e cila u organizua në mbështetje të ish-krerëve dhe ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.

Në kryeqytetin shqiptar u mblodhën mijëra qytetarë nga të gjitha trevat shqiptare, si dhe figura publike e politike, për të kërkuar drejtësi dhe për të kundërshtuar, siç u tha në protestë, “padrejtësitë ndaj çlirimtarëve të Kosovës”.

Në mesin e folësve ishte edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati, i cili theksoi se protesta kishte për qëllim mbrojtjen e luftës çlirimtare dhe të vlerave kombëtare.

“Ne sot po protestojmë për të ngritur zërin për drejtësi. Jemi këtu për të mbrojtur luftën e shenjtë të UÇK-së, për të mbrojtur gjakun e derdhur për liri. UÇK nuk ka nevojë të dëshmojë se ka qenë ushtri çlirimtare – këtë e ka dëshmuar historia dhe populli,” deklaroi Gucati, duke shtuar se protesta “nuk ka lidhje me politikën, por është protestë e popullit shqiptar”.

Në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së foli edhe ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, i cili e quajti të padrejtë procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë.

“Jemi mbledhur për të mbrojtur dinjitetin tonë kombëtar. Ish-krerët e UÇK-së nuk janë kriminelë, por mbrojtës të popullit të vet. Ata janë burgosur me akuza të qarqeve të errëta serbo-ruse. Lufta e UÇK-së u mbështet fuqishëm nga NATO, SHBA-të dhe Perëndimi,” tha Moisiu.

Ndërsa Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, kujtoi se aktakuza ndaj Hashim Thaçit ishte ngritur në një moment kyç të dialogut Kosovë–Serbi.

“Prokuroria Speciale e Hagës ngriti aktakuzën ndaj Thaçit pikërisht kur ai po shkonte në Washington për të nënshkruar marrëveshjen për njohje reciproke me Serbinë – marrëveshje që do të bëhej pa ndarje të Kosovës e pa shkëmbim territoresh,” deklaroi Ahmeti, duke shtuar se një marrëveshje e tillë “do t’i jepte fund hasmërisë shekullore me Serbinë”.

Protesta përfundoi e qetë, me thirrje për unitet kombëtar dhe me apel që gjykimi në Hagë të zhvillohet mbi bazën e drejtësisë e jo të paragjykimeve politike./lajmi.net/