Përfundon protesta/ Paraqiten 4 kërkesa, në mesi e tyre zhbërja e Speciales dhe dorëheqja e Donika Gërvallës
Ka përfunduar protesta gjithëpopullore e thirrur dje nga OVL-UÇK. Në sheshin Skenderbeu ishin mijëra qytetarë të cilët protestuan duke kërkuar që të lirohen ish-krerët e UÇK-së të dënuar në Hagë. Në protestë morën pjesë qytetarë të shumtë, të cilët shprehën qëndrimet e tyre kundër aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara në Hagë.…
Lajme
Ka përfunduar protesta gjithëpopullore e thirrur dje nga OVL-UÇK.
Në sheshin Skenderbeu ishin mijëra qytetarë të cilët protestuan duke kërkuar që të lirohen ish-krerët e UÇK-së të dënuar në Hagë.
Në protestë morën pjesë qytetarë të shumtë, të cilët shprehën qëndrimet e tyre kundër aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Protesta u zhvillua me moton “Në mbrojtje të UÇK-së”, ndërsa një nga mesazhet e përcjella nga protestuesit ishte “Jo në emrin tim!”.
Përpos kërkesës për zhbërjen e Gjykatës Speciale në protestë është kërkuar edhe dorëheqja apo largimi i Donika Gërvallës nga posti i ministres së Drejtësisë në Qeveri të Kosovës.
Po ashtu u kërkua mbështetja e pakufizuar dhe fonde të mjaftueshme për mbrojtjen e krerëve të UÇK, si dhe angazhimin e eksporteve më të mirë ndërkombëtare për mbrojtjen e krerëve të UÇK-së.
“Kërkesa nr1. Shfuqizim ose ndryshim i Ligjit për Dhomat e Specializuara. Kërkesa nr.2. Shkarkimi i ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla. Çka është një ministre pa popullin, popullim nuk e keni mbrapa, duhet të largoheni. Kërkesa nr3. Mbështetje e pakufizuar dhe fonde të mjaftueshme për mbrojtjen që iu duhen krerëve të UÇK-së dhe kombit tonë. Kërkesa nr4. Angazhimi i ekspertëve më të mirë ndërkombëtarë në mbrojtjen e krerëve të UÇK-së, sepse UÇK-ja jemi ne, UÇK-ja është shteti i Kosovës, dhe ne nuk do ta lejojmë të na merrni atë që e kemi fituar me gjak”.
Protesta ishte e qetë dhe protestuesit kanë filluar të shpërndahen./Lajmi.net/