Përfundon për sot seanca në Hagë, nesër nis deklarimi i mbrojtjes së Hashim Thaçit
Pasi prokurorët e Prokuroisë Speciale përfunduan deklarimet e tyre sot, deklarimin nisin avokati mbrojtës i viktimave në Hagë. Mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, tha se dëshiron që në vendimin e trupit gjykues për katërshen e UÇK-së, zëri i viktimave të dëgjohet. “Kjo aktakuzë nuk është përshkrim i thatë ligjor i akteve kriminale, por bëhet fjalë…
Lajme
Pasi prokurorët e Prokuroisë Speciale përfunduan deklarimet e tyre sot, deklarimin nisin avokati mbrojtës i viktimave në Hagë.
Mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, tha se dëshiron që në vendimin e trupit gjykues për katërshen e UÇK-së, zëri i viktimave të dëgjohet.
“Kjo aktakuzë nuk është përshkrim i thatë ligjor i akteve kriminale, por bëhet fjalë për vende, kohë kur njerëzit kanë pësuar dëme të mëdha, që kanë ndryshuar ata dhe familjet e tyre. Duke pranuar që ka ndodhur ky dëm, një trup gjykues është në gjendje të thotë se vuajtja e viktimave nuk është anashkaluar. Ajo që presim që të ndodhë është që viktimat të kenë zërin e tyre dhe që zëri i tyre të jetë dëgjuar”, tha ai.
Sipas tij, të gjitha viktimat kanë pyetur veten “pse më ndodhi kjo mua”, duke ngritur pyetje të tjera pse njerëzit duhej të ndaloheshin e më pas të keqtrajtoheshin.
“Pse duhej të përfundonin në varre të pashënuara?”, pyeti ai.
Gjatë fjalëve përmbyllëse, Simon Laws foli edhe për viktimat shqiptare që tha se u etiketuan si bashkëpunëtorë dhe që sipas tij, sot e kësaj dite ata e vuajnë dëmin e këtij etiketimi, por edhe trajtimin e të ndaluarve.
“Nga këndvështrimi i viktimave, politika e paraburgosjes së bashkëpunëtorëve që nga fillimi ka pasur një mangësi: Si e dini kush është bashkëpunëtor, si përcaktohet kjo në mungesë të një procesi ligjor? Nuk janë bërë përpjekje për të përcaktuar se kush është bashkëpunëtor. Njerëzit janë rrëmbyer mbi bazën e thashethemeve. Është e vështirë të besosh që dikush mund të humbasë lirinë dhe më pas jetën mbi një bazë të tillë. Ky rrjet i kampeve të UÇK-së drejtohej mbi bazën e prezumimit të fajësisë. Personat ndaloheshin për arsye absurde”, tha ai.
Sipas mbrojtësit të viktimave, për shkak të dyshimeve për bashkëpunim, UÇK-ja kreu një valë arrestimesh.

“Rrallë herë është dhënë bazë për akuzën dhe rrallë u është dhënë rasti që të përgjigjeshin”, tha ai, duke shtuar se ka pasur raste që kur viktimat kanë mohuar akuzat, ata sërish janë keqtrajtuar.
Ai tha se viktimat, jo vetëm shqiptare, iu nënshtruan “mizorive të jashtëzakonshme nga ushtarë të UÇK-së”, dhe ndaj tyre janë përdorur shkopinj, tuba hekuri e gjësende të tjera. Shumë janë rrahur, pretendoi ai, deri sa kanë humbur ndjenjat. Disa, sipas mbrojtësit të viktimave, janë rrahur me ditë me radhë.
“Disa prej tyre preferonin të vdisnin që të merrnin fund vuajtjet”, tha ai.
Laws, tha se familjarët e viktimave kanë jetuar në pasiguri, pasi disa prej tyre nuk kishin informacione se të afërmit e tyre nuk jetonin më.
“Mungesa e informacioneve u jepte atyre shpresë”, tha ai.
Ai, duke cituar disa dëshmitarë, tregoi për përjetimet e familjarëve të viktimave. Laws përmendi dëshminë e një gruaje që humbi bashkëshortin dhe për 25 vjet nuk kishte pasur asnjë provë për vdekjen e tij.
“Kjo ka qenë një torturë e vërtetë”, kishte dëshmuar ajo.
Laws po ashtu foli për vrasjet, që pretendoi se janë kryer nga UÇK-ja. Mbrojtësi i viktimave tha se “këto janë vrasje që janë injoruar, mbuluar dhe fshehur. Sigurisht, UÇK-ja është dashur të ndërmarrë hapa për hetimin, ndjekjen penale të tyre”, tha Laws.
Disa nga viktimat, pretendoi Laws, kanë heshtur për humbjen e të afërmve të tyre nga frika se e njëjta gjë mund t’iu ndodhë atyre.
Pas deklarimit të tij në lidhje me viktimat që pretendohen në rastin kundër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi seanca është mbyllur për sot.
Gjykatësi Smith deklaroi se për sot përfunduan dhe se do të vazhdohet nesër me deklaratën e mbrojtjes së Hashim Thaçit./Lajmi.net/

