Përfundon mbledhja e Kryesisë së PDK-së, Hamza paralajmëron veprime: Nuk ka normalitet, do ta mbrojmë rendin kushtetues

Ka përfunduar mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ku është diskutuar për situatën politike dhe institucionale në vend, pas dështimit për konstituimin e Kuvendit. Pas mbledhjes, PDK-ja ka deklaruar se Kosova po përballet me një krizë të thellë kushtetuese dhe institucionale, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për vazhdimin e bllokadës së institucioneve. Kryetari…

Lajme

10/08/2026 17:50

Ka përfunduar mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ku është diskutuar për situatën politike dhe institucionale në vend, pas dështimit për konstituimin e Kuvendit.

Pas mbledhjes, PDK-ja ka deklaruar se Kosova po përballet me një krizë të thellë kushtetuese dhe institucionale, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për vazhdimin e bllokadës së institucioneve.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se nuk mund të pretendohet se në vend ka normalitet institucional, shkruan lajmi.net.

“Nuk mund të sillemi sikur kemi normalitet. Nuk ka normalitet”, ka deklaruar Hamza.

Sipas PDK-së, mosrespektimi i Kushtetutës, aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, Rregullores së Kuvendit dhe afateve institucionale përbën cenim serioz të funksionimit demokratik.

Kryesia e PDK-së ka bërë të ditur se partia do t’i mobilizojë strukturat e saj në të gjitha komunat dhe do të ndërmarrë veprime ligjore, politike dhe demokratike për, siç është thënë, mbrojtjen e rendit kushtetues dhe funksionimit të institucioneve.

PDK-ja ka paralajmëruar gjithashtu konsultime dhe koordinim me subjektet politike, institucionet dhe organizatat e shoqërisë civile lidhur me hapat e mëtejmë.

Në mbledhje, PDK-ja ka përsëritur qëndrimin se Kushtetuta dhe interesi i shtetit duhet të jenë mbi çdo interes partiak apo individual. /Lajmi.net/