Përfundon fushata për gazetarin Sulejman Gashi, mblidhen 59 mijë dollarë

Ka përfunduar me sukses fushata për ndihmë materiale për korrespodentin e RTK-së, në Shtetet e Bashkuara, Sulejman Gashi, i cili ka pësuar sulm në zemër gjatë një udhëtimi pune në qytetin Salt Lake City në Utah.

Lajme

24/03/2016 08:55

Janë dashur vetëm rreth 15 orë, pas apelit të familjes së Gashit për ndihmë, dhe janë grumbulluar 59 mijë dollarë, ku edhe ka përfunduar fushata.

Sulejman Gashi është në gjendje kome në Salt Lake City. Ai duhet të transportohet në Neë York për të vazhduar shërimin e mëtejshëm.

Bartja me aeroplan special, bashkë me një ekip të mjekëve të trajtimit intensiv, kushton rreth 50,000 dollarë, mjete këto të cilat tanimë janë siguruar.

Ndërsa, në faqen e Sulejman Gashit në Facebook, familja e tij ka publikuar një falenderim për të gjithë ata që u solidarizuan që të mblidhen paratë e nevojshme.

Të dashur familjarë dhe miq,

Jemi thellësisht të prekur nga mbështetja dhe solidariteti juaj – ne arritëm qëllimin tonë të mbledhjes së fondeve për të transportuar Babain nga Salt Lake City në Neë Jersey. Kjo na liron shumë nga barra e tanishme financiare. Mjekët në Salt Lake City na kanë thënë që do të duhej të përgatitemi për një proces afatgjatë të rikuperimit, dhe ne planifikojmë që të përdorim çdo shumë përtej synimit tonë për të siguruar kujdesin më të mirë për Babain. Kjo faqe e mbledhjes së fondeve do të mbyllet 24 orë pasi është filluar. Është e jashtëzakonshme mbështetja që kemi marrë sot—e kuptuam se sa të gjithë e duan Babain, pra jo vetëm ne, por familja jonë, miqtë tanë, dhe komuniteti më i gjerë shqiptar. Ne mbesim të fortë dhe plot shpresë qe Babai do të rikuperohet dhe do t’ju rikthehet jetërave tona.

-Bashkëshortja Tonja me fëmijët, Sarandën, Drilonin, Janinën dhe Egzonin