Përfundimi i gjykimit në rastin e Thaçit dhe të tjerëve, Trendafilova: Është herët të parashikohet

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, ka bërë të ditur se gjatë periudhës së paraburgimit të të akuzuarve në rastin Thaçi dhe të tjerët vazhdimisht pati vendime që arsyetonin se pse të njëjtit janë në paraburgim. Ajo ka theksuar se nuk është e saktë të thuhet se të akuzuarit janë mbajtur gati…

Lajme

11/06/2025 19:30

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, ka bërë të ditur se gjatë periudhës së paraburgimit të të akuzuarve në rastin Thaçi dhe të tjerët vazhdimisht pati vendime që arsyetonin se pse të njëjtit janë në paraburgim.

Ajo ka theksuar se nuk është e saktë të thuhet se të akuzuarit janë mbajtur gati dy vjet e gjysmë pa gjykim.

Sipas saj, që nga arrestimi i të akuzuarve në bazë të fletarrestimeve dhe akuzave të konfirmuara, procesi kundër tyre ishte në fazën e përgatitjes.

“Kjo fazë, e quajtur faza paraprake, është pjesë e procesit, dhe një i akuzuar mund të mbahet në paraburgim gjatë kësaj faze përgatitore në qoftë se ekzistojnë arsyet për vazhdimin e paraburgimit, si rreziku i arratisjes, i ndërhyrjes ndaj dëshmitarëve ose i kryerjes së veprave penale të tjera”, ka pohuar Trendafilova.

“Vlerësimi nëse kohëzgjatja e periudhës së paraburgimit është e arsyeshme duhet të bëhet rast pas rasti, në varësi të rrethanave konkrete. Por, ajo që dëshiroj të theksoj është se gjatë periudhës që përmendet ju, procesi vazhdonte të kryhej, jo në sallën e gjyqit, por në kuptim të përgatitjes për gjykim, dhe çdo dy muaj janë dhënë vendime të arsyetuara se pse paraburgimi duhej vazhduar”.

Trendafilova theksoi se sa i përket përfundimit të gjykimit, është ende herët të parashikohet se kur do të shqiptohet aktgjykimi në këtë çështje gjyqësore.

“Ekipet e mbrojtjes kanë bërë të ditur se do të dorëzojnë një kërkesë të përbashkët për hedhjen poshtë të akuzave dhe na duhet të presim për të parë se çfarë do të vendosë trupi gjykues për kërkesën e tyre. Në vijim, në varësi të rezultatit të kërkesës, në qoftë se akuzat nuk hidhen poshtë, pritet që mbrojtësi i viktimave të paraqesë provat dhe argumentet e tij, që do të zgjasin afërsisht një javë”.

“Pas kësaj, do të shohim se sa kohë vlerësojnë ekipet e mbrojtjes se do t’u duhet për të përgatitur provat dhe argumentet e tyre dhe çfarë afatesh do të caktojë Trupi Gjykues. Pas përfundimit të paraqitjes së provave nga ekipet e mbrojtjes, gjykatësit e trupit gjykues fillojnë kuvendimet për aktgjykimin”, tha Trendafilova në një intervistë për RTK-në.