Përfitoi gati gjysmë milion euro për banesa dhe në fund s’i shiti, Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj tre personave
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë një aktakuzë ndaj tre personave për disa vepra penale. Ata dyshohet se u angazhuan në një rast mashtrimi ndaj E.N., i cili dha shumën prej 485 mijë eurosh për banesa dhe në fund K.K. nuk e respektoi marrëveshjen për të kryer shitjen…
Lajme
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë një aktakuzë ndaj tre personave për disa vepra penale.
Ata dyshohet se u angazhuan në një rast mashtrimi ndaj E.N., i cili dha shumën prej 485 mijë eurosh për banesa dhe në fund K.K. nuk e respektoi marrëveshjen për të kryer shitjen e tyre.
Tre personat dyshohen për veprat penale “ Mashtrimi”, “Detyrimi”, “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”
I pandehuri K.K., akuzohet për veprën penale të mbetur në tentativë “Detyrimi”, dhe për veprat penale “Mashtrimi”, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas aktakuzës, K.K., gjatë viteve 2023-2024, në mënyrë të kundërligjshme ka përfituar shumën prej 485 mijë eurosh, duke e mashtruar të dëmtuarin E.N për të arritur një marrëveshje joformale për shitjen e disa banesave në pronësi të tij, por i akuzuari pas arritjes së marrëveshjes nuk e ka kryer shitjen e banesave.
Ndërsa A.M., akuzohet për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë”, pasi ka bërë një lajmërim të rremë ndaj të dëmtuarit E.N.
Sipas aktakuzës, i pandehuri D.M., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete ka kanosur të dëmtuarin E.N me qëllim që ta detyrojë të veprojë në dëm të pasurisë tij.