Përfaqësuesit e bizneseve shprehin shqetësim për ndërprerjen e paralajmëruar të energjisë për biznese: Kërkohet rishqyrtim i procesit të liberalizimit

Shtatë prej organizatave më të mëdha të përfaqësimit të biznesit në vend – Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, Oda Ekonomike e Britanisë në Kosovë, Lidhja e Bizneseve të Kosovës dhe Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës – kanë dalë me një…

Lajme

14/08/2025 17:38

Shtatë prej organizatave më të mëdha të përfaqësimit të biznesit në vend – Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, Oda Ekonomike e Britanisë në Kosovë, Lidhja e Bizneseve të Kosovës dhe Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës – kanë dalë me një komunikatë të përbashkët ku shprehin shqetësim të thellë për situatën e krijuar pas aktvendimit të Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale, që lidhet me furnizimin me energji elektrike.

Organizatat kërkojnë nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) që të rishqyrtojë procesin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike dhe, në të njëjtën kohë, të mos zbatojë ndërprerjen e paralajmëruar të energjisë për bizneset nga data 16 gusht. Sipas tyre, një vendim i tillë do të ketë pasoja të rënda ekonomike, duke përfshirë humbjen e vendeve të punës, rritjen e çmimeve, rritjen e importit dhe uljen e eksportit, transmeton lajmi.net

Në komunikatë thuhet se disa biznese tashmë kanë ndalur operimin, ndërsa të tjera janë në proces të mbylljes së reparteve. Gjithashtu, shumë kompani janë duke pësuar humbje për shkak të kontratave ndërkombëtare që janë duke u realizuar me kosto nën çmimin e prodhimit, për shkak të çmimit të lartë të energjisë.

Odat ekonomike theksojnë se nuk janë kundër liberalizimit të tregut të energjisë, por kritikojnë mënyrën se si është zbatuar ky proces nga ZRRE, duke theksuar mungesën e informimit të duhur për bizneset. Sipas tyre, çmimet e ofruara nga furnizuesit e licencuar janë shumëfish më të larta krahasuar me ato të rajonit, çka e bën situatën edhe më të rëndë për sektorin privat. Shoqatat e biznesit kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë konsultimet me anëtarësinë për hapat e mëtejmë./lajmi.net/