Përcaktojnë Kryetarët

Isa Mustafa dhe Ismet Beqiri vizituan Prizrenin dhe Gjilanin. Përveç kritikave për keqqeverisjen e PDK’së në nivel qendror dhe lokal, ata thanë se Kryetarët e ardhshëm të këtyre dy Komunave do të jenë Eqrem Kryeziu dhe Lutfi Haziri. I përcaktuan vetë.

Lajme

22/09/2013 16:30

Lideri i LDK’së, Isa Mustafa, gjatë vizitës në Prizren, është takuar me kandidatin e LDK’së për Kryetar të këtij qyteti, Eqrem Kryeziun.

Nga atje Mustafa i bëri thirrje kreut të PDK’së, Hashim Thaçit, që ta harrojë Prizrenin, pasi që pas zgjedhjeve të 3 nëntorit, Prizreni do të qeveriset nga kandidati i LDK’së, Eqrem Kryeziu.

“Thaçi nuk ka shanse ta fitojë Prizrenin. Unë nga këtu po i them që të mos mundohet më shumë, sepse Prizreni do të qeveriset nga LDK”.

“Që sot mund ta quaj Eqrem Kryeziun Kryetar të Prizrenit”.

Ndërsa, kandidati Kryeziu tha se prizrenasit vetë po kërkojnë dhe po dëshirojnë ndryshime.

“PDK’ja kur pat ardhur në pushtet, pat premtuar ndryshime. Ata jo që nuk i kanë bërë ato ndryshime, por e kanë harruar këtë premtim. Por, qytetarët tash vetë po dëshirojnë ndryshime në Prizren”.

Ndërkaq, Ismet Beqiri vizitoi Gjilanin, në përkrahje të kandidat të LDK’së për Gjilan, Lutfi Hazirit.

“Është momenti historik që hajnat që po qeverisin në qendër e nëpër komuna, e të cilët shumica janë nën hetime, e që e kanë damkosur Kosovën të largohen nga skena dhe t’u lëshojnë vend e hapësirë njerëzve që kanë punuar me vite për interesin kombëtar e shtetëror”.

Beqiri tha se qyteti i Gjilanit është shumë domethënës për LDK sepse realisht Gjilani është vetë LDK’ja. Ai u shpreh me bindje që Lutfi Haziri është njeriu i duhur për Gjilanin, dhe nuk ka asnjë mëdyshje që ai do fitojë.

”Nuk kemi asnjë fije dyshimi në fitoren e Hazirit, sepse ky qytet dhe kjo rini ka nevojë për një kryetar si Haziri, i cili është i kalitur, është lider në Anamoravë – i edukuar dhe autoritativ”.