Përballja Finale

Betejat kryesore të kësaj përballjes së sotme zgjedhore do të zhvillohen në Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjakovë, Gjilan, Mitrovicë dhe Ferizaj. Në qytetet kryesore gara është shumë e fortë, e po ashtu, vendimtare për disa forca politike.

Lajme

01/12/2013 06:42

Sot do të zhvillohen përballjet finale të Champions League’s politike kosovare.

Betejat kryesore të kësaj përballjeje jashtëzakonisht të rëndësishme do të zhvillohen në Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjakovë, Gjilan, Mitrovicë dhe Ferizaj.

Pa dyshim se gara do të jetë po kaq interesante edhe në komunat tjera, si Viti, Lipjan, Malishevë, Suharekë, Rahovec, Kamenicë, Obiliq, Vushtrri, Klinë, Dragash, Novobërdë, Shtërpcë, Junik,  Graçanicë, Ranillug, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.

Sigurisht se interesimi dhe tifozeria më e zjarrtë është në Prishtinë, ku betja për Kryeqytetin zhvillohet mes Isa Mustafës të LDK’së dhe Shpend Ahmetit të Vetëvendësjes.

Të dy palët pretendojnë fitore ndërsa dallimi i tyre nga raund i parë është rreth 10 për qind në favor të kryetarit aktual.

Ndërkohë gara kryesore mes dy partive të mëdha PDK dhe LDK do të zhvillohet në Prizren. Atje Ramadan Muja i PDK’së shpreson ta vazhdojë kontratën me qytetarë, përderisa Eqrem Kryeziu i LDK’së,  në koalicion me Bashkimin Demokratik të Zafir Berishës, presin që ta përmbysin rezultatin e 3 nëntorit, në të cilin rivali i tyre doli kandidati më i votuar nga qytetarët.

LDK do ta ketë një ndeshje të fortë zgjedhore edhe në Pejë kundrejt AAK’së. Atje Ali Berisha, Kandidat i partisë së Ramush Haradinajt, shpreson ta përmbysë rezultatin dhe të rizgjedhet edhe për katër vjet Kryetar i Pejsë, duke qenë se mbështetjen do ta marrë edhe nga PDK. Në këtë qytet raundi i parë është fituar nga Gazmend Muhaxheri i LDK’së, i cili beson se do bëjë të mundshëm rotacionin e pushtetit në Pejë.

Krahas Pejës, AAK po lufton për ta mbajtur pushtetin edhe  në Gjakovë, ku kandidati i kësaj partie Pal Lekaj ka përballë Mimoza Kusarin të AKR’së së Behgjet Pacollit, e cila pret triumfin e saj, njësoj siç shpreson edhe Pal Lekaj për t’u rikonfirmuar.

Gara e nxehtë do të jetë edhe në Gjilan mes Lutfi Hazirit të LDK’së dhe Qemajl Mustafës së PDK’së, e po ashtu edhe në Mitrovicë mes Avni Kastratit të PDK’së dhe Agim Bahtirit të AKR’së.

KQZ, nga ana e saj, thotë se ka bërë të gjitha përgatitjet për zhvillimin e rregullt të procesit të sotëm zgjedhor.

Në 25 komuna ku do të mbahet ky raund, do të hapen 594 Qendra të Votimit me 1 816 Vendvotime.

Numri i votuesve të regjistruar për të marrë pjesë në raundin e dytë është 1. 371. 524.

Përfaqësuesit e vendeve kryesore të BE’së dhe Ambasada Amerikane në Prishtinë u kanë bërë thirrje partive politike që të mos zhgënjejnë në garën e balotazhit.

Diplomatët perendimorë të akredituar në Prishtinë kërkojnë me ngulm që standardet e treguara në raundin e parë të zgjedhjeve të mbahen edhe gjatë balotazhit.

Edhe procesi i sotëm zgjedhur mbulohet nga një numër i madh i vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë, që shihen si një garanci për një proces të rregullt, sidomos në qytetet ku gara është shumë e fortë e vendimtare për disa forca politike.

 

Sot dihet secili nga kandidatët e mëposhtëm do të jetë Kryetar i Komunës së tij:

Prishtinë: Isa Mustafa (LDK) vs Shpend Ahmeti (Vetëvendosje)

Gjakovë: Mimoza Kusari Lila (AKR) vs Pal Lekaj (AAK-LDD)

Prizren: Ramadan Muja (PDK) vs Eqrem Kryeziu (LDK)

Pejë: Gazmend Muhaxheri (LDK) vs Ali Berisha (AAK-LDD)

Gjilan: Lutfi Haziri (LDK) vs Qemajl Mustafa (PDK)

Mitrovicë e Jugut: Avni Kastrati (PDK) vs Agim Bahtiri (AKR)

Mitrovicë e Veriut: Krstimir Pantic (GIS) vs Oliver Ivanovic (IQ)

Ferizaj: Agim Aliu (PDK) vs Muharrem Svarça (LDK)

Malishevë: Ragip Begaj (IQM) vs Sali Morina (LDK)

Rahovec: Idriz Vehapi (PDK) vs Smajl Latifi (AAK-LDD)

Dragash: Selim Jenuzi (PDK) vs Fatmir Mehmeti (LDK)

Graçanicë: Branimir Stojanovic (GIS) vs Bojan Stojanovic (SLS)

Junik: Agron Kuçi (AAK-LDD) vs Zenun Shala (LDK)

Kamenicë: Shaip Surdulli (LDK) vs Begzad Sinani (PDK)

Kllokot: Srecko Spasic (GIS) vs Sasha Mirkovic (SLS)

Klinë: Sokol Bashota (PDK) vs Enver Berisha (LDK-LDD)

Lipjan: Shukri Buja (PDK) vs Imri Ahmeti (LDK)

Novobërdë: Bajrush Ymeri (LDK) vs Svetislav Ivanovic (GIS)

Obiliq: Mehmet Krasniqi (LDK) vs Xhafer Gashi (AAK-LDD)

Partesh: Nenad Cvetkovic (SLS) vs Dragan Nikolic (GIS)

Ranillugë: Gradimir Mikic (GIS) vs Milan Aritonovic (SNPK)

Shtërpcë: Bratislav Nikolic (SLS) vs Ivan Rexhic (GIS)

Suharekë: Sali Asllanaj (LDK) vs Bali Muharremaj (AAK-LDD)

Viti: Sokol Haliti (LDK) vs Nexhmedin Arifi (PDK)

Vushtrri: Bajram Mulaku (PDK) vs Muharrem Shabani (AAK-LDD)