Për vjedhjen e orëve ‘Rolex’ në Bahrejn, mbrojtja kërkon pezullimin e gjykimit

Pala mbrojtëse ka kërkuar pezullimin e gjykimit në Prishtinë kundër pesë të akuzuarve për vjedhjen e 79 orëve "Rolex", me vlerë një milion e 400 mijë dollarëve amerikanë, më 16 shtator të vitit 2013, në shtetin e Bahrejnit.

Lajme

28/01/2015 08:26

Në seancën e mbajtur të martën në Gjykatën Supreme, senacë kjo e cila është ndërprerë për shkak të protestës që po mbahej në sheshet e Prishtinës, pala mbrojtëse ka dorëzuar aktgjykimet e dy shkallëve të dy gjykatave në Bahrejn, shkruan Koha Ditore.

Këtë në emër të palës mbrojtëse e ka kërkuar Asdren Hoxha, avokati i Amin Sejdinit, njëri prej të akuzuarve në këtë rast.

“Ne po kërkojmë që seanca të mos mbahet, po kërkojmë pezullimin e kësaj çështjeje juridiko-penale, derisa në rrugë zyrtare t’i merrni aktgjykimet, e pastaj të shihet se si të vazhdohet”, ka thënë ai, duke shtuar se aktgjykimet që ia ka dorëzuar trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtarja Marie Tuma, janë siguruar nga familjarët e të akuzuarve.

Sipas tij, aktgjykimi i shkallës së parë është i datës 18 shtator 2014 dhe ai i shkallës së dytë është i datës 30 dhjetor 2014. Ata kanë thënë se në këto aktgjykime të akuzuarit janë dënuar me dënime “të rënda”.

Gjyqtarja Tuma ka thënë se për t’i marrë parasysh ato aktgjykime iu duhet t’i marrin në rrugë zyrtare dhe dokumentet duhet të jenë të verifikuara dhe me vulën e Republikës së Kosovës.

Në këtë rast po akuzohet Amin Sejdini, Gentian Abazi, Rrahman Aliu, Ekrem Gashi dhe Haki Gashi. Katër të parët gjenden në paraburgim, ndërkohë Haki Gashi gjendet në arrest shtëpiak.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Koha Ditore ka raportuar se pesë të akuzuarit për grabitjen e 79 orëve në shtetin e Bahrejit janë dënuar në mungesë me dënime të rënda nga një gjykatë në Bahrejn.